Stuhia “Ciaran” godet Shqipërinë/ Përmbytje nga shiu në Tiranë, Durrës, Shkodër e Vlorë
Moti i keq me stuhi shiu dhe erë të fortë përfshiu prej mesditës së sotme gjithë vendin, duke krijuar jo pak probleme me qarkullimin e mjeteve dhe përmbytjet e rrugëve. Më problematike situata ishte në Shqipërinë e Mesme, ku Tirana dhe Durrësi kanë marrë edhe sasinë më të madhe të reshjeve të shiut.
Si pasojë e shiut me intensitet të lartë, shumë rrugë në kryeqytet u mbuluan nga uji, ndërsa qarkullimi i automjeteve u vështirësua. Prurjet e mëdha bënë që Lumi Lana të dalë nga shtrati në afërsi të “Pallatit me Shigjeta” duke shkaktuar përmbytje të “Unazës”.
Situatë e vështirë ishte edhe në “Unazën e Madhe”, ku në afërsi të Kopshtit Botanik, niveli i ujit në rrugë arriti në disa centimetra duke vështirësuar kalimin e makinave. Si pasojë e shiut dhe erës së fortë në afërsi të “Pallatit me Shigjeta” është shkëputur një objekt dhe ka dëmtuar në kokë 37-vjeçarin, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Një pemë u thye në afërisi të zonës së “Kinostudios” tek “Rruga Ura”, duke bllokuar qarkullimin. Në qytetin e Durrësit për shkak të motit të keq disa rrugë u bënë të pakalueshme për këmbësoret dhe automjetet. Zonat më problematike janë lagjet pranë stadiumit “Niko Dovana” dhe rruga që lidh shëtitoren “Taulantia” me pjesën tjetër të qytetit.
Në port, për shkak të erës së fortë është ndërprerë puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit të mallrave, si dhe është urdhëruar ndalimi i lundrimit për mjetet e vogla lundruese e peshkarexhat, deri në një njoftim të dytë. Lundrimi është ndërprerë edhe në Portin e Vlorës për shkak të erës së fortë.
Stuhia e fortë e erës ka sjellë dëme edhe në Shkodër. Një pemë është rrëzuar në qendër të qytetit duke dëmtuar mjetet e parkuara.
Tv Klan