Sindikata e pavarur e punonjësve në shëndetësi paralajmëron protesta
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Shëndetësisë dhe Personelit Administrativ-Teknik sot sërish kërkuan kushte më të mira të punës për anëtarësinë dhe paralajmëruan protesta më 17 dhe 24 nëntor dhe më 2 dhjetor.
Ata kërkojnë rritje të pagave 30 për qind, të shtesës për infeksion nga një në katër për qind, marrëveshje të re kolektive, stazh të beneficuar pune dhe transformim të marrëveshjeve në kohë të caktuar pune me ato të pacaktuar.
Nga Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Shëndetësisë prezantuan tri propozime se si të mbushen buxhetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për Shëndetësi.
“Taksimi prej 40% të pagave të larta të funksionarëve, për shkak se në këto kushte janë shumë të larta. Institucionet shëndetësore për shkak se janë organizata joprofitabile, të lirohen nga rryma dhe uji industrial, të paguajmë si qytetarë të thjeshtë. Mbështesim Ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhitin, që të hiqen Drejtorët e dyfishtë të Qendrës Klinike dhe Këshillat Drejtuese”, thotë Bobi Bojçevski nga Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësor.




