Si u keqpërdor komandanti i UÇK-së për propagandë nga Kisha Katolike
Të mërkurën bëri bujë lajmi për gjoja konvertimin e komandantit të UÇK-së, Sabit Geci, në fenë katolike. Një postim i Famullisë së Shën Mihillit në fshatin Doblibarë të Gjakovës u përhap si lajm senzacional nga mediat, duke raportuar konvertimin, e madje pagëzimin e Sabit Gecit në Kastriot.
“Kastriot, unë po të pagëzoj në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt! Amen”, publikoi Famullia, duke bashkëngjitur fotografinë e Sabit Gecit.
Megjithatë, lajmi jo vetëm që ka rezultuar i rrejshëm, por edhe nxori në pah keqpërdorimin e emrit të komandantit të UÇK-së nga Kisha Katolike, raporton Alfax.
Këtë e konfirmoi vetë Sabit Geci, në një deklaratë për median e Kosovës, Insajderi.
Geci është shprehur se e ka realizuar në shenjë respekti për, siç tha ai, njerëz që punojnë për interes kombëtar. Megjithatë, sipas Gecit, vizita e tillë është keqpërdorur nga Kisha Katolike.
“Nuk pagëzohna kur unë s’besoj në asnjërën. Unë jam shku e kam vizitu edhe xhaminë edhe përmendoren “Zahir Pajaziti” dhe jam shku e kam vizitu kishën. Por unë kam gjithmonë respekt për njerëz që punojnë për interes kombëtar, unë ata shkoj i vizitoj. Dëgjo, unë t’kisha besu, po more ndërroj, s’është problem ajo punë. Por, unë nuk besoj fare”, deklaroi ai për Insajderin.
Keqpërdorime të tilla lidhur me përkatësinë fetare janë shpeshtuar në Kosovë. Muajin e kaluar, në rrjetet sociale u përhapën fotografi nga i ashtuquajturi “Grupi i Deçanit”, të cilët pretendonin se dhjetëra banorë të Deçanit kanë vendosur kolektivisht për braktisjen e fesë islame. Megjithatë, shumë reagime individuale nga pjesëmarrës në atë tubim ose familjarë të tyre, kanë konfirmuar se pjesëmarrësit janë manipuluar dhe se qëllimi i tubimit ka qenë i prezantuar si krejtësisht diçka tjetër. /Alfax/




