Kosovë Lajme Maqedoni e Veriut Opinione Top

Shpërnguljet nga sanxhaku i Nishit (1877-1878)

Shpërnguljet në Perandorinë Osmane kishin nisur që në fillim të shekullit XIX, më konkretisht në kryengritjen e parë serbe (1804), ku një numër i madh i myslimanëve shqiptarë, boshnjakë, turq etj., ishte shpërngulur nga territoret e Principatës Serbe. Kjo dramë njerëzore ishte përsëritur deri në vitin 1878. Megjithatë, shpërngulja e vitit 1877-1878, e cila erdhi si rezultat i luftës ruso-osmane, përbën momentin kritik të muhaxhirëve të Ballkanit.

Mead OSMANI, Prishtinë

Shpërnguljet dhe shkaqet

Në shekujt e parë të Perandorisë Osmane, shpërngulja ishte realizuar kryesisht nga Anadolli për ta rritur numrin e popullsisë myslimane në Ballkan. Por, pas Traktatit të Karllofcit (26 janar 1699), në shekullin XVIII, osmanët kishin filluar t’i humbin territoret që i kishin nën administrim. Orientimi i vendosjes ose i shpërnguljes kishte ndryshuar dhe, në mënyrë që të mbrohej popullsia myslimane që jetonte në Ballkan, nisi një lëvizje e madhe shpërnguljesh nga Ballkani drejt Anadollit.

Gjatë fundit të shekullit XVIII shteti osman filloi të përballet me shpërnguljet. Problematika e shpërnguljeve në shtetin osman, e cila filloi më herët se në Europë, luajti një rol të rëndësishëm në politikat europiane karshi shtetit osman. Dëbimi i myslimanëve nga Europa, në botën krishtere ortodokse sllave dhe, në veçanti, te rusët, ishte bërë synim parësor. Pikërisht edhe shpërnguljet e para filluan me luftërat që nisën me pretendimin për çlirim, duke filluar nga Rusia dhe shtetet qe ishin në kufi me Perandorinë Osmane. Gjithsesi, ideja e nacionalizmit të popujve ballkanas, me theks të veçantë atyre të besimit ortodoks (sllav), i shkonte për shtati edhe politikës ruse, e cila kishte për synim bashkimin e të gjithë popujve ortodoksë të Europës Juglindore nën ombrellën e pansllavizmit karshi Perandorisë Osmane, në mënyrë që të mund të shtrihej drejt Adriatikut.

Në fakt, shpërnguljet në Perandorinë Osmane kishin nisur që në fillim të shekullit XIX, më konkretisht në kryengritjen e parë serbe (1804), ku një numër i madh i myslimanëve shqiptarë, boshnjakë, turq etj., ishte shpërngulur nga territoret e Principatës Serbe. Kjo dramë njerëzore ishte përsëritur deri në vitin 1878. Megjithatë, shpërngulja e vitit 1877-1878, e cila erdhi si rezultat i luftës ruso-osmane përbën momentin kritik të muhaxhirëve të Ballkanit. Në këtë kontekst, kuptuar drejt qëllimin kryesor të kësaj lëvizje të madhe politike dhe sociale që rrënjët i ka tek ideologjia dhe socio-politika e kohës. Shkaku kryesor i shpërnguljeve në Ballkan është Rusia dhe ajo që fshihet pas ombrellës së quajtur “pansllavizëm”, që nxiti armiqësinë dhe fanatizmin tek te krishterët (ortodoksë sllavë) në Ballkan. Gjithashtu, duhet theksuar se ndër shkaqet më të rëndësishme që nxitën shpërnguljen është edhe projekti serb i Ilija Garashaninit “Naçertania”, i cili kishte për synim t`i vendoste themelet e “Serbisë së Madhe”, në përputhje me politikat serbe për t’i aneksuar territoret e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, veriun e Shqipërisë dhe rajone të tjera. Ky projekt, megjithëse nuk ishte aq i madh dhe aq i gjerë sa pansllavizmi, ishte shumë i rëndësishëm dhe sekret në Ballkan dhe, veçanërisht, në mesin e serbëve.

Rusia, më 24 prill 1877 i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe hyri në territoret e Rumanisë. Humbja e thellë e ushtrisë osmane karshi asaj ruse bëri që kjo e para të kërkonte paqe dhe më 3 mars 1878 u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia, Mali i Zi dhe Rumania e fitonin pavarësinë nga shteti osman. Serbia shtrihej në territoret e Vilajetit të Kosovës, ndërsa Bullgaria e fitonte statusin e principatës së pavarur dhe shtrihej deri në Traki dhe Shqipëri. Mirëpo, ndikimi i madh rus në Ballkan i shqetësoi fuqitë europiane, të cilat nuk i njohën vendimet e Shën Stefanit dhe e organizuan Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878), i cili nuk ishte aspak i favorshëm për Perandorinë Osmane dhe shqiptarët. Në Kongresin e Berlinit Vilajeti i Kosovës e humbi sanxhakun e Nishit. Ndërsa Principata Serbe e fitoi një territor prej 10.972 km2 të sanxhakut të Nishit.

Pas kryengritjeve që ishin shfaqur në Principatën Serbe në fillim të shek. XIX, pastaj privilegjet që u ishin dhënë serbëve dhe, në fund në vitin 1878, me tërheqjen definitive të Perandorisë Osmane nga rajoni, sanxhaku i Nishit, me kazatë Leskofc, Shehirkoj (Pirot), Vranjë dhe Yrgyp (Prokuple), kishte mbetur nën Principatën Serbe. Popullsia myslimane e asaj zone, që më parë përbënte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Sanxhakut të Nishit, ishte ndikuar negativisht tej mase nga ky pushtim, saqë për një kohë fare të shkurtër kishte mbetur pakicë. Më tej problemi qëndronte te çështja e vendosjes së popullsisë, e cila nuk ishte e kufizuar vetëm me Vilajetin e Stambollit dhe të Edrenesë, por të gjitha vilajetet e Perandorisë Osmane ishin në një mënyrë të angazhuar me këtë çështje. Në vjeshtën e vitit 1877, 300.000 njerëz erdhën në vilajetet e Selanikut dhe të Kosovës. Disa nga këta të shpërngulur ishin vendosur në vende të ndryshme. Edhe në vitin 1879 u regjistruan rreth 100.000 të shpërngulur në Vilajetin e Kosovës. Në një raport britanik ishte regjistruar se më 13 nëntor të vitit 1878 70.000 të shpërngulur të rinj kishin mbërritur në Stamboll dhe 120.000 të shpërngulur të tjerë ishin dërguar në Anadoll nga portet e Varnës dhe Batumit të Rumelisë. Konsulli britanik, Baker, në raportin që e dërgoi në Londër në shtator të po atij viti e kishte ilustruar shumë qartë situatën e trishtë të krijuar në atë kohë. Mbi të gjitha, në raport theksohej se popullsia myslimane e qytetit të Nishit nga 8.300 kishte rënë në 300 banorë, ku shumica e pronave dhe e shtëpive myslimane u grabitën dhe u dogjën.

Atëbotë u ndërmorën disa nisma dhe përpjekje për kthimin e të shpërngulurve myslimanë në Principatën Serbe. Kryediplomati britanik në Beograd, Gould, ua përcolli me shkrim çështjen në fjalë autoriteteve serbe, por atij iu dha përgjigja se problemi buronte nga divergjenca midis administratorëve të Beogradit dhe se problemi mund të zgjidhej vetvetiu me kalimin e kohës. Perandoria Osmane, gjithashtu, kishte bërë përpjekje për të marrë masa paraprake me qëllim të parandalimit të dhunës ndaj popullsisë myslimane në Ballkan. Osmanët kishin ndërmarrë një hap në tri faza, përmes të cilit synonin t’i mbronin të drejtat e shtetasve që kishin mbetur nën presionin e politikave pansllaviste. Në fazën e parë u kërkua nga Rusia një garanci me shkrim me qëllim që të ndalohej shpërngulja e popullsisë myslimane nga Rumelia dhe të realizohej siguria e jetës dhe e pasurisë së njerëzve gjatë shpërnguljes. Mirëpo, në këtë drejtim nuk u arrit asnjë rezultat pozitiv. Si rrjedhojë e kësaj, në fazën e dytë osmanët u përpoqën ta kontaktojnë komandantin e përgjithshëm rus përmes përfaqësuesve të komitetit të armëpushimit, por edhe kjo përpjekje nuk funksionoi plotësisht dhe përparimi i forcave ruse në disa rajone vazhdoi. Në fazën e tretë osmanët ndërmorën një seri nismash direkte me shtetet europiane për të ndaluar këtë politikë që ishte në kundërshtim me vendimet e Fuqive të Mëdha. Për këtë çështje Europa fillimisht mendoi se kjo ishte një propagandë osmane, por më vonë e mësoi seriozitetin e çështjes përmes raporteve që vinin nga konsullatat që ndodheshin në Vilajetin e Danubit. Shtetet europiane, në këtë fazë, nuk e mbështesnin politikën e shpërnguljes pansllaviste që ishte ndjekur nga rusët (serbët), por as ata nuk ndërmorën veprime serioze dhe të frytshme, me synimin që të ndaloheshin përndjekjet dhe padrejtësitë. Kështu, popullata myslimane (shqiptarë, turq, boshnjak etj.) në Ballkan, që dikur përbënte pjesën më të rëndësishme të popullsisë dhe që ishte në pozitë u detyrua të shpërngulej, ndërsa ata që qëndruan mbetën në pozitën minoritare.

Dhuna ndaj popullatës civile

Në fund të vitit 1877, me avancimin e ushtrisë serbe në sanxhakun e Nishit, shumica e myslimanëve pronarë, fshatarë, shqiptarë dhe banorë të qytetit, u larguan. Sipas një raporti të zëvendëskëshilltarit britanik, Augustus Baker, kur ushtria serbe e pushtoi Nishin, popullsia myslimane u tërhoq në kala, ndërsa shtëpitë e tyre u plaçkitën. Pas dorëzimit, pjesa më e madhe e pasurisë së myslimanëve u shkatërrua, madje edhe sendet me vlerë të myftiut dhe pazari shqiptar u rrafshuan. Dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë xhamitë u shkatërruan, si dhe 1300 nga 4000 shtëpitë e qytetit. Trupat serbe i përdorën shtëpitë prej druri të myslimanëve për dru zjarri dhe shtëpitë e mbetura myslimane u shitën për më pak se 10% të vlerës së tyre të mëparshme. Për shembull, gjenerali Gjura Horvatoviq e bleu një pronë të mirë prej pesëdhjetë hektarësh për vetëm 500 dukatë.

Shqiptarët dhe myslimanët e tjerë që jetonin në sanxhakun e Nishit u shpërngulën me dhunë midis dhjetorit të vitit 1877 dhe janarit të vitit 1878. Fëmijë, gra dhe të moshuar, që u detyruan të linin trevat dhe shtëpitë e tyre, humbën jetën në kushte ekstreme të ftohta të dimrit. Vlen të përmendet edhe një ngjarje që e tregon D. Mita Petroviqi, i cili ishte ushtar serb në luftimet në Toplicë (1877-1878). Ai, ndër të tjera, thotë: “Në Bardhovë, kur tanët (serbët) hynë aty për herë të parë familjet që kishin ikur kush kah kish mundur, një nënë e pafat kishte lënë në shtëpi dy fëmijë të saj të fjetur. Dera e dhomës ishte e hapur, ndërsa gjatë natës ishte acar i madh. Pas katër ditësh, ushtarët tanë rastësisht hyjnë brenda në shtëpi. Fëmija më i rritur ishte i qeshur, faqet e skuqura sikur trëndafila të majit, ndërsa më i riu me vetulla të afruara. Ata u përkulën për t`i zgjuar, por të dy ishin mërdhirë dhe kishin vdekur në gjumë”. Kjo ngjarje është një nga tragjeditë që shërben për ta kuptuar më së miri trishtimin që e kishin përjetuar shqiptarët dhe myslimanët nga Sanxhaku i Nishit gjatë shpërnguljeve.

Si përfundim, mund të themi se Nishi me rrethinë edhe para sundimit osman edhe përgjatë sundimit osman ishte vend me rëndësi, ku gërshetoheshin rrugë të rëndësishme gjeostrategjike dhe për këtë arsye herë pas here përjetoi shkatërrime të njëpasnjëshme, por kurrë nuk e humbi rëndësinë që kishte. Duke filluar nga fundi i shekullit XIV, gjegjësisht nga viti 1385 deri në vitin 1878 Nishi qëndroi nën administrimin e shtetit osman. Sa ishte nën sundimin osman, Nishi mund të thuhet se ishte vend i rëndësishëm multietnik, ku bashkëjetonin në mënyrë të shkëlqyer pjesëtarë të shumë etnive dhe religjioneve. Mirëpo, në shekullin XIX në shtetin osman ngjarjet u zhvilluan me një dinamikë të shpejtë, duke filluar nga krizat ekonomike dhe politike, që u karakterizuan me kryengritje të brendshme dhe me sulme politike dhe ushtarake nga jashtë. Nishi, doemos, sikur shumë sanxhaqe të tjera, u ndikua nga kjo situatë e krijuar në shtetin osman. Ndryshimet e ndodhura në kuadër të shtetit osman e prekën edhe sanxhakun e Nishit, ashtu që në vitet 1877-1878, përgjatë luftës ruso-osmane, serbët filluan masakrat e djegiet me gjithë aparaturën që posedonin, gjë që e detyroi popullatën vendore të shpërngulej nga trojet e veta, që për rezultat kjo trevë pësoi ndryshime demografike dhe religjioze. Kështu Nishi nga një sanxhak multietnik, ku bashkëjetonin komunitete të ndryshme para vitit 1877, pas vitit 1879 do të shndërrohet në një trevë me shumicë ortodokse serbe.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *