Shefi i OKB-së “i tmerruar” nga sulmet ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është “i tmerruar” nga sulmet ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza dhe dënoi vrasjen e çdo civili, tha zëdhënësi i tij, transmeton Anadolu.
Guterres “është i tmerruar nga përshkallëzimi i dhunës në Gaza, duke përfshirë vrasjen e palestinezëve, përfshirë gra dhe fëmijë, dhe sulmet ajrore izraelite në zonat e banuara të kampit të refugjatëve me popullsi të dendur Jabalia”, u tha gazetarëve Stephane Dujarric.
Sulmet të martën çuan në qindra viktima, sipas Ministrisë së Brendshme në enklavën e rrethuar.
Dujarric tha se Guterres përsërit se të gjitha palët duhet t’i përmbahen ligjit ndërkombëtar “dhe ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake”.
“Ai dënon në termat më të ashpër çdo vrasje të civilëve”, tha zëdhënësi, duke shtuar se shefi i OKB-së kërkon t’i jepet fund dhunës në Gaza.
Guterres ka kërkuar gjithashtu “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve që mbahen aktualisht në Gaza dhe gjithashtu hyrjen e ndihmës jetike humanitare në një shkallë të nevojshme për të përmbushur nevojat në rritje të popullsisë palestineze”, tha Dujarric.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor.
Më shumë se 10.300 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 8.796 palestinezë dhe 1.538 izraelitë.