SHBA dhe BE thirrje Izraelit të mbrojë civilët në Gazë
Ndërsa luftimet mes Izraelit dhe grupit te Hamasit vazhdojne, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po shtojnë thirrjet për mbrojtjen e civilëve. Uashingtoni thote se Tel-Avizi ka të drejtë të mbrohet ndaj sulmeve terroriste, por këtë duhet ta bejë duket respektuar ligjet e luftës, duke mbrojtur civilët. Edhe ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, të mbledhur sot në Bruksel, i kërkuan Izraelit të mbrojë popullsinë palestineze.
Luftimet prej më shumë se 1 muaji mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit kanë sjellë ndasi mes vendeve. Disa shtete thonë se sulmi terrorist i Hamasit nuk justifikon reagimin e Izraelit, që ka shkaktuar vdekjen e një numri të madh civilësh, në Gazë.
Izraeli deri tani ka refuzuar armëpushmimin, duke argumentuar se ai do t’i shërbente grupit militant që të mblidhte sërish forcat. Uashingtoni e ka mbështetur një qëndrim të tillë, por duke bërë të ditur se po ushtron trysni mbi aleatin e tij për mbrojtjen e civilëve në luftime.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan foli në rrjetin televiziv ABC duke nënvizuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara mbi luftën e Tel-Avivit ndaj Hamasit.
“Për ne ka shumë rëndësi zbatimi i ligjeve të luftës, që do të thotë, marrja e të gjitha masave të mundshme për mbrojtjen e civilëve. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të mbështesin qëndrimin se Izraeli ka të drejtë të mbrohet ndaj sulmeve terroriste”, tha Jake Sullivan, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, u pyet të dielën, gjatë një interviste në CNN, mbi deklaratat e fundit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se nga lufta në Gazë, janë vrarë shumë palestinezë.
“Vdekja e civilëve është një tragjedi. Përgjegjësia duhet të bjerë direkt tek Hamasi sepse nuk i lejon civilët që të largohen nga zona e luftës, ndonjëherë edhe nën kërcënimin e armëve. Grupi ka hapur zjarr në zona dhe korridore të sigurta”, tha Netanyahu.
Ndërkohë, duke folur në rrjetin televiziv NBC, Netanjahu foli mbi spekulimet për një marrëveshje të mundshme për lirimin e personave që u morën peng nga Hamasi në 7 tetor, duke thënë, se në rast se kjo ndodh, merita u takon forcave të mbrojtjes ajrore izraelite.
“Trysnia që po shkaktojnë forcat e mbrojtjes ajrore izraelite mbi Hamasin mund të nxisë një marrëveshje. Nëse një marrëveshje do te jetë e mundur, do të bisedojmë. Do ta bëjmë të ditur publikisht kur të jetë arritur pakti”, tha Netanyahu.
Kryeministri dha se kur lufta të mbarojë, burimet dhe aftësitë ushtarake në Gazë do të mbeten kryesisht në duart e Izraelit, por se është ende herët, për të përcaktuar se kush do ta udhëheqë Gazën.
“Gaza duhet të delimitarizohet. Aty duhet çrrënjosur Hamasi. Dhe deri më tani, nuk kemi parë që ndonjë forcë palestineze, përfshirë Autoritetin Palestinez, të jetë në gjejndje ta bëjë këtë”, tha kryeministri izraelit.
Ndërkohë, situata në Gazë është mes çështjeve të diskutimit në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian sot në Bruksel.
“Kërkojmë pauza të menjëhershme humanitare. Po e them në shumës, jo një, por disa pauza humanitare. Nevojiten pauza dhe korridore humanitare për të përballuar situatën e rëndë me të cilën po përballen njerëzit në Gazë”, tha Josep Borrel, shef i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian.
Përmes në deklarate të dielën, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian dënuan Hamasin, që po përdor, sipas tyre, spitalet dhe civilët si mburoja njerëzore dhe njëherësh i bënë thirrje Izraelit që të bëjë përpjekjet maksimale për të mbrojtur civilët. /VOA