Samir Iseni në Ditën e Shëndetit: Ta ruajmë shëndetin tonë si një thesar të çmuar dhe t’i edukojmë fëmijët tanë me kujdes e përkushtim

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, Samir Iseni, ka njoftuar se ka marrë pjesë në aktivitetin e përbashkët në komunën e Çairit dhe shkollën “Ismail Qemali” për Ditën e Shëndetit.
“Si Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, pata kënaqësinë të marr pjesë në aktivitetin e përbashkët me komunën e Çairit dhe shkollën “Ismail Qemali” për Ditën e Shëndetit. Ky aktivitet edukativ kishte për qëllim të ndërgjegjësonte nxënësit mbi rëndësinë e kujdesit për shëndetin dhe higjienën personale.
Së bashku me kryetarin e komunës, z. Visar Ganiu, dhe drejtoreshën e shkollës, znj. Teuta Hoxha Imeri, diskutuam mbi rëndësinë e edukimit shëndetësor në shkollë. Mjekët e Shtëpisë së Shëndetit ndanë këshilla praktike dhe u përgjigjën me profesionalizëm pyetjeve të nxënësve, duke ofruar informacione të vlefshme për një jetë të shëndetshme.
Le ta ruajmë shëndetin tonë si një thesar të çmuar dhe t’i edukojmë fëmijët tanë me kujdes e përkushtim. Sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një jetë plot gëzim dhe një shoqëri më të mire”, ka shkruar Iseni.