Lajme Maqedoni e Veriut

Rritet shkalla e burgosjes në RMV

Më 31 janar të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, e ashtuquajtura shkalla e burgosjes ishte 142 të burgosur për 100,000 banorë, që paraqet rritje prej 25.5 për qind në nivel vjetor, treguan të dhënat nga statistikat vjetore penale të Këshillit të Evropës për vitin 2023.

Me këtë, siç njofton AIM, Maqedonia e Veriut është në vendin e dytë në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës sipas rritjes së shkallës së dënimit me burgim pas Moldavisë, e cila ka rritje prej 52,1 për qind. Pas RMV-së, janë Qiproja me rritje të shkallës së burgosjes prej 24,8 për qind, Turqia me 15, Azerbajxhani me 12,5, Irlanda me 11,7, Mali i Zi me 11,3, Armenia me 10,6, Kroacia me 10,4 dhe Hungaria me 8,7 për qind.

Uljen më të madhe vitin e kaluar më 31 janar 2023 krahasuar me të njëjtën datë të vitit 2022 e ka regjistruar Lituania me 8.9 për qind, përpara Estonisë me 8.8 dhe Greqisë me 5.2 për qind.

Nga vendet e tjera të rajonit, në Bullgari shkalla e burgosjes në një vit është rritur me 8,1 për qind, në Serbi me 4,2 për qind, në Slloveni me 2,1 për qind dhe në Shqipëri me 1,6 për qind, ndërsa në Rumani është e pandryshuar. Ndryshe, norma mesatare e burgosjes në Evropë ka shënuar rritje prej 2.4 për qind.

Ndërsa nominalisht, me 142 të burgosur për 100,000 banorë, Maqedonia e Veriut është në vendin e 15-të në mesin e 48 administratave të burgjeve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të përfshira nga analiza.

Turqia ka shkallën më të lartë të burgosjes me 408 të burgosur për 100,000 banorë, përpara Gjeorgjisë me 256, Azerbajxhanit me 244, Moldavisë me 242, Hungarisë me 211, Polonisë me 194, Sllovakisë me 183, Shqipërisë me 179, Çekisë me 176, Lituanisë me 174, Letonisë me 172, Malit të Zi me 168, Serbisë me 162, Estonisë me 151 dhe Maqedonia e Veriut me 142 të burgosur për 100,000 banorë.

Shkalla më e ulët e burgosjes u regjistrua në Finlandë me 52 të burgosur për 100,000 banorë, Holandë me 52, Norvegji me 55, Gjermani me 67, Slloveni me 68, Danimarkë me 71, Zvicër me 73, Armenia me 79, Suedi me 80 dhe Irlandë me 85 të burgosur për 100.000 banorë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *