Lajme Maqedoni e Veriut

RRENAT E BDI-së VËRTET I KANË KËMBËT E SHKURTRA

Shkolla e re në Vizbeg të Shkupit nuk do të lëshohet në përdorim deri në fund të vitit 2023, ndonëse ministri i BDI-së, Jeton Shaqiri, pati premtuar se shkolla do të jetë gati për fillimin e mësimit në shtator të këtij viti. Pastaj tha se “gjithçka do të jetë gati për 1 tetor”, kurse tani, siç u paralajmërua, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator të vitit të ardhshëm, pra më 2024. Tani nga Ministria e Arsimit thonë se gjatë kësaj periudhe duhet të përfundojnë të gjitha procedurat administrative dhe teknike që kanë të bëjnë me vendosjen e trafostacionit për energji elektrike, që kinse ishte shkak i mosnisjes me punë të kësaj shkolle.
Por, banorët e Vizbegut, të lënë në margjinat e interesimit të qeveritarëve të BDI-së, megjithatë me të drejtë kanë hetuar e konstatuar se zvarritja e nisjes me punë të kësaj shkolle është e qëllimshme dhe se brenda natës do të jetë gati në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ky taktizim brutal i BDI-së është edhe një tregues se çfarë është në gjendje të bëjë kjo parti për qëllime politike. Në rastin konkret, kjo parti, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, vazhdon të luajë me fatin e qindra fëmijëve dhe familjeve të Vizbegut në stilin “jo sot, por nesër…”.
Nga ana tjetër, ky ministër vazhdon të lejojë që fëmijët shqiptarë të Velesit të mos e ushtrojnë të drejtën e mësimit në gjuhën shqipe, njësoj si ata të Idrizovës, të cilëve po ashtu u mohohet mësimi në gjuhën shqipe. Kjo dëshmon se BDI akoma shpreson se me rrena do ta mbajë pushtetin.
A di të tregojë dikush se sa e sa herë ministri Shaqiri premtoi se librat për nxënësit do të jenë gati? Në fakt, gënjeu shumë herë, sepse akoma mungojnë tekstet shkollore, pavarësisht se mundohet fajin ta zhvendosë diku tjetër. Duket qartë se edhe ky ministër është i pafuqishëm të bëjë diçka konkrete, ndaj mbështetje për “ta shpëtuar kokën” gjen te mashtrimi, që është bërthama e rrenës së tyre, e cila kur sajohet prej Artan Grubit dhe ata që ai i ka në kontroll, vërtet këmbët i ka të shkurtra. Këtë e dëshmoi qartë rasti i shkollës së Vizbegut të Shkupit, si edhe mungesa e teksteve shkollore, por jo vetëm.
Tashmë qytetarët gjithnjë e më shumë po binden se “epoka” e BDI-së ka filluar të perëndojë.

26.10.23

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *