Rezultati i zgjedhjeve: BDI-ja humbi një deputet, fitoi VLEN-i
BDI-ja ka humbur një deputet, ndërsa VLEN-i e ka fituar një deputet më shumë nga zgjedhjet që u mbajtën sot në 7 vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, ku KSHZ-ja kishte konstatuar parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, gjë që e konfirmoi edhe Gjykata Administrative dhe u vendos që të shkohet në rivotim më 22 maj.
Ndryshimi është bërë vetëm në njësinë e gjashtë, konkretisht në vendvotimin 2101 në Zhelinë ku BDI-ja ka humbur një deputet ndërsa VLEN-i ka fituar një deputet më shumë.
Në njësinë e gjashtë zgjedhore është rivotuar vetëm në një vendvotim, ndërsa të gjashtë vendvotimet tjera ku është rivotuar kanë qenë në njësinë e pestë zgjedhore.
Nga gjithsej 4.514 votues, të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 2.487 apo 55.10%. I gjithë procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa incidente. /alfax.mk/