Kosovë Lajme

Qeveria: Kurti ofroi nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit, përfshirë draftin e BE-së dhe ShBA-së – Vuçiqi refuzoi

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas takimeve që kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka zhvilluar gjatë takimeve me pesëshen evropiane në Bruksel.

Kurti gjatë takimit ka kërkuar që grupi terrorist i Milan Radoiçiqit, të ekstradohen në Kosovë, ku sipas tij, do të kishte një gjykim të drejt dhe fer, teksa bëhet e ditur se i pari i Qeverisë së Kosovës ka ofruar nënshkrimin e tij për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, përfshirë edhe draftin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

“Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, VuçiQ, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, bëhet e ditur se Kurti ka kërkuar nga pesëshja evropiane që pas sulmit në Bansjkë të ketë sanksione ndaj Serbisë.

“Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë”.

“Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin”.

“Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, thuhet në komunikatë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *