Orhan Kurtishi: BDI-ja po i largon shqiptarët nga Librat Amë vetëm se janë aktivistë të Alternativës
Kryetari i Degës së Alternativës në Kumanovë, Orhan Kurtishi, ka reaguar ndaj largimit të shtatë të punësuarve nga Drejtoria e Librit Amë në qytetin e Kumanovës.
Arsyetimi i vetëm i BDI-së është se ata persona janë punësuar në kohën kur Alternativa ishte në pushtet. Në këtë mënyrë, për arsye politike, drejtori i BDI-së po tenton që t’u hakmerret shqiptarëve duke i lënë rrugëve në këtë kohës të krizës së madhe ekonomike.
Në vijim po ua përcjellim reagimin e plotë të kryetarit të degës:
Është i paprecedentë informacioni se drejtori i BDI-së i Librave Amë nuk ua vazhdon kontratën shtatë shqiptarëve, vetëm se janë futur në punë në kohën e Alternativës.
BDI-ja duket e pamëshirshme për shqiptarët si dhe përdorë metodën e hakmarrjes për të zbrazur Maqedoninë e Veriut nga shqiptarët. Po si kryetar dege i Alternativës në Kumanovë e dënoj këtë akt, duke i bërë me dije opinionit se gjërat do të ndryshojnë për të mirë. Opinioni di të bëjë dallimin kur Alternativa ishte në pushtet dhe tani kur BDI-ja përmes shantazheve dhe përjashtimit prej pune mundohet të qëndrojë në pushtet.
Shantazhi dhe kërcënimi nuk mund që të na ndalojë në rrugën për ndryshim.