Nuk ka kush e ndal ortekun e ndryshimit tek shqiptarët
Pas formalizimit të emrit të ri të koalicionit tonë, sot Lidhja jonë ka vendosur t’i bashkojë edhe deputetët e saj në një grup të përbashkët parlamentar. Kështu deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi duke kumtuar lajmin për formimin e grupit parlamentar të Lidhjes Evuropiane për Ndryshim në Kuvend.
Koordinatore e këtij grupi është caktuar deputetja Safije Sadiki Shaini, ndërsa zëvendëskoordinatore do të jetë deputetja Merita Koxhaxhiku.
“Që këtu duam që qytetarëve t’ua japim lajmin e gëzuar se bashkim ynë po rritet dhe fuqia jonë po shtohet. Kur jemi këtu, i bëjmë thirrje edhe njëherë kryetarit të Kuvendit, z. Talat Xhaferi, të mos e zvarrisë zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-zë që i takon opozitës, sepse kjo e bën bashkëfajtor për mosrespektimin e Kodit Zgjedhor. Ne e kuptojmë manipulimin dhe tendencën e tij, por le ta dijë se kjo te ne nuk kalon”, deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Gashi shtoi se ata janë të vendosur që ta bëjnë betejën deri në çlirimin e plotë të shqiptarëve nga regjimi i BDI-së dhe çirakëve të tyre.
“Në këtë rrugë asgjë nuk na dekurajon. Madje, sa më shumë që mendojnë se na godasin dhe na pengojnë, kjo veç na bën më të fortë. Shumica e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që deshi të na shohë neve bashkë në këtë Lidhje, e dëshiron ndryshimin dhe këtë ortek të ndryshimit s’ka gjë që e ndalë. Ne jemi këtu vetëm që ta përmbushim këtë detyrim dhe të punojmë me përkushtim për ta siguruar suksesin e së ardhmes sonë të përbashkët”, tha më tej Gashi.