Një hap historik: Provimi për licencë në institucionet publike për fëmijë, tashmë edhe në gjuhën shqipe

Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut hyri në rend dite Propozim Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve. Ky projektligj sjell një ndryshim të rëndësishëm, pasi për herë të parë u mundëson kandidatëve shqiptarë që provimin për marrjen e licencës për punë në institucionet publike për fëmijë ta japin edhe në gjuhën shqipe.
Lajmin e bëri të ditur deputetja e Kuvendit të RMV-së, Imerlije Saliu, nga radhët e koalicionit VLEN, e cila theksoi se ky është një hap domethënës drejt barazisë gjuhësore dhe përfshirjes së shqiptarëve në institucionet publike. “Ky është një moment historik që forcon të drejtat tona dhe hap rrugën për një përfaqësim më të denjë dhe gjithëpërfshirës,” deklaroi ajo.
Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e mundësive për të rinjtë shqiptarë që duan të kontribuojnë në fushën e edukimit dhe përkujdesjes së fëmijëve në vend.