Nga shtatori do të ketë rritje të pensioneve për 2.500 denarë
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot se të gjithë pensionistët në vend nga shtatori do t’u rriten pensionet për 2.500 denarë. Rritje të re për 2.500 denarë do të ketë në mars të vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Mickoski tha se aktualisht nuk ka para në buxhet për rritjen e pensioneve, por me ribalancimin që duhet të miratohet në gusht do të sigurohen para për rritje lineare të pensioneve.
“Buxhetit i mungojnë 2,5 miliardë denarë apo 40 milionë euro për pagesën e pensioneve aktuale. Ato para janë shpenzuar për gjëra me të cilat organet hetimore do të merren shumë në periudhën në vijim. Përkundër faktit se ka mungesë të mjeteve buxhetore për pensionet aktuale, me ribalancimin e Buxhetit do të parashikojmë edhe rritje lineare, për të cilën nevojiten edhe 40 milionë euro shtesë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në vënia e gurthemelit të një shkolle fillore në Draçevë të Shkupit.
Mickoski tha se në mars do të ketë edhe një rritje lineare të pensioneve prej 2.500 denarë dhe kështu premtimi i tyre parazgjedhor për rritje prej 5.000 denarë do të realizohet para qershorit të vitit 2025.
Edhe në 24 qershor, Mickoski njoftoi se deri në fund të kësaj jave do të mbahet seanca e parë e qeverisë, në të cilën, siç tha ai, do të merren disa vendime formale.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski njoftoi se tashmë do të fillojnë të punojnë për zgjidhjen e re ligjore për rritje lineare të pensioneve.