Murtezani: Politika e kohezionit është shtyllë kyçe e integrimit evropian
Në thelbin e vetë projektit evropian qëndron angazhimi për nxitjen e bashkëpunimit, ndërtimin e urave dhe prishjen e barrierave që krijojnë kufij. Kjo është gjithashtu detyra themelore e politikës së kohezionit, si një shtyllë mbështetëse e integrimit evropian dhe si një shtytës i ndryshimit, e cila është veçanërisht e rëndësishme për format e ndryshme të bashkëpunimit ndërkufitar, ku vlerat evropiane njihen dhe zbatohen së bashku me të gjithë aktorët në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal në Bashkimin Evropian, por edhe më gjerë. Këtë e theksoi sot ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, në konferencën përmbyllëse të projektit “Mbështetje nga BE-ja për zbatimin e Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian në Maqedoninë e Veriut”, në organizim të Ministrisë për Çështje Evropiane.
Murtezani, siç informoi ministria e këtij dikasteri, ka theksuar se bashkëpunimi është palca dhe thelbi i solidaritetit, të promovimit të mirëkuptimit të përbashkët dhe padyshim, i zhvillimit të qëndrueshëm rajonal.
“Bashkëpunimi është palca dhe thelbi i solidaritetit, të promovimit të mirëkuptimit të përbashkët dhe padyshim, i zhvillimit të qëndrueshëm rajonal. Në bazën e vetë projektit evropian qëndron angazhimi për avancimin e bashkëpunimit, ndërtimin e urave dhe thyerjen e barrierave që i krijojnë kufijtë. Kjo njëkohësisht është edhe detyra themelore e politikës së kohezionit, si shtyllë mbështetëse e integrimit evropian dhe si një shtytës i ndryshimeve, e cila është veçanërisht relevante për format e ndryshme të bashkëpunimit ndërkufitar, ku vlerat evropiane njihen dhe zbatohen së bashku me të gjithë faktorët në nivel nacional, rajonal dhe lokal në Bashkimin Evropian dhe më gjerë”, deklaroi Murtezani.
“Janë të shumta nismat e përbashkëta që i ndjekin kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Unionit, së bashku me vendet kandidate dhe partnerët e fqinjë, mes të cilëve, por jo vetëm, vendin e tyre e zënë programet për bashkëpunim ndërkufitar, programet trans-nacionale dhe ndër-rajonale, si dhe strategjitë makro-rajonale. Vendosja dhe avancimi i vazhdueshëm i tyre dhe mbindërtimi është tregues i qartë se bashkëpunimi territorial është një fuqi shtytëse serioze në kuptimin e kohezionit ekonomik, social dhe territorial”, tha Murtezani, duke shtuar se konferenca po mbahet në një moment, në periudhë në të cilën diskutimet për të ardhmen e bashkëpunimit territorial për periudhën pas vitit 2027 janë në kulmin e tyre.
Sipas tij, konsultimet, të cilat ende po vazhdojnë, kryesisht bazohen në ҫështjet që sot do të trajtohen nga panelistët e ҫmuar.
“Përvoja e tyre e pasur profesionale dhe personale, si dhe lidhja e tyre me aspektet e ndryshme të bashkëpunimit territorial, janë garanci për diskutim të frytshëm. I falënderoj sinqerisht për kontributin e tyre, i sigurt se do të pasurojë kuptimin dhe perceptimin tonë për bashkëpunimin territorial dhe do të nxisë interes për programet e bashkëpunimit territorial, strategjinë Adriatiko-joniane dhe politikën e kohezionit të BE-së në kontekst e zgjerimit”, tha Murtezani.
Konferenca e sotme është pjesë e projektit “Mbështetje nga BE-ja për zbatimin e Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatiko-Jonian në Maqedoninë e Veriut”, financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar nga Ministria për Çështje Evropiane. U organizuan tetë ngjarje rajonale dhe tre tematike me rreth 400 pjesëmarrës, me qëllim të promovimit të strategjive makro-rajonale. Megjithatë, ato janë ende më pak të njohura, gjë që e kufizon përmirësimin e sinergjisë me programet territoriale dhe pakon nacionale të BE-së.
“Strategjitë makro-rajonale nuk kanë burimet e tyre të mjeteve, dhe për këtë arsye përfshirja e tyre në instrumentet e ardhshme financiare të BE-së është me rëndësi vendimtare. Në këtë kontekst, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin e BE-së, luan rol strategjik. Plani i rishikuar i veprimit i Strategjisë krijon parakushte për integrim më të mirë në bashkëpunimin territorial, ndërkohë që kryesimi ynë i ardhshëm i Strategjisë, do të japë impuls të ri për promovimin e saj”, njoftoi Murtezani.
Programet e bashkëpunimit territorial, të pranishme tanimë 15 vjet, ofrojnë mundësi unike ballafaqim me sfidat e përbashkëta dhe ndërtimin e kapaciteteve në të gjitha nivelet. Por, është i nevojshëm angazhimi i mëtejshëm për harmonizimin e legjislacionit, përpunimi i strategjive nacionale dhe përforcimi i kapaciteteve, veçanërisht në nivel lokal, që të shfrytëzohen plotësisht përfitimet nga politika e kohezionit të BE-së. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë potencialin e plotë të vendit tonë dhe do të sigurojmë standard më të mirë jetese dhe prosperitet.