MPB arreston edhe ish-policë të pensionuar për tragjedinë në Koçan

Hetimi për zjarrin në Koçan është zgjeruar edhe te shtatë zyrtarë policorë të tjerë, zbuloi prokurori publik Lupço Kocevski në Televizionin Telma. Ata do të arrestohen. Portali “Skopje1”, duke iu referuar burimeve nga hetimi, raporton se disa nga personat që po arrestohen janë të pensionuar dhe lidhen me lëshimin e lejeve që ndihmuan në marrjen e licencës për funksionimin e diskotekës “Pulse”.
Me këtë, numri i zyrtarëve policorë të dyshuar rritet në 14 persona, pasi rreth një muaj më parë u arrestuan edhe shtatë policë të tjerë. Deri më tani, hetimi po zhvillohet për një vepër penale: krijimi i rrezikut për jetën dhe trupin e njerëzve.
Operacioni për këta shtatë policë është në zhvillim. Për zyrtarët policorë dhe personat që janë ish-policë të pensionuar, hetimi po zhvillohet nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.