Mbështetje edhe nga Shqipëria për kryetarin Afrim Gashi
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi i ka dëshiruar mirëseardhje ambasadorit të ri të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Në takimin e sotëm në Kuvend, Gashi dhe Meidani, i theksuan raportet e mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimin e rëndësishëm mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në më tepër fusha.
“U bisedua edhe për mundësinë e inicimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë, si kurorë e marrëdhënieve diplomatike tani më tre dekada mes dy vendeve si dhe si bazë për përforcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit në të ardhmen. U bisedua edhe për përforcimin e bashkëpunimit parlamentar, në kontekst të vizitës së kryetares së kuvendit të Shqipërisë në Shkup. Në takim u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal si dhe interesi i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për përshpejtimin e proceseve për anëtarësim në BE”, thuhet në komunikatën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
Më tej, kryetari Gashi dhe ambasadori Meidani, kanë shkëmbyer mendime edhe për rëndësinë e korridorit 8 në kontekst të nevojës për bashkëpunim ekonomik më intensiv dhe rritjen e tregtisë me qëllim lidhje më të madhe infrastrukturore dhe energjetike mes dy vendeve.