Lidhja Europiane për Ndryshim kërkon dorëheqjen e Grubit, Mariçiqit, Llogës dhe shpërndarjen e Kuvendit
Lidhja Europiane për Ndryshim ka reaguar sërisht lidhur me raportin e publikuar nga Komisioni Europian duke thënë se ky raport tregon qartë se me BDI-në nuk ka BE dhe se ky raport është më i keq që ka marrë Maqedonia e Veriut kurdoherë.
Ata vlerësojnë se është e nevojshme të ndërmerren këto hapa:
1. Dorëheqje të parevokueshme nga Artan Grubi, Bojan Mariçiq, Bujar Osmani dhe Krenat Lloga. Kjo duhet të bëhet si akt i përgjegjësisë politike dhe si shenjë e mirë për aleatët tanë ndërkombëtarë se vërejtjet e tyre janë marrë shumë seriozisht nga shteti ynë.
2. Тë shpërndahet Kuvendi dhe të kemi zgjedhje urgjente parlamentare dhe presidenciale së bashku. Secila ditë e kaluar në pushtet nga kjo qeveri e kriminalizuar është humbje për qytetarët.
3. Ridefinim i plotë i organeve gjyqësore. Ne jemi në dispozicion të plotë me të gjithë ekspertët tanë juridikë për të gjetur modalitetet më të përshtatshme për reforma rrënjësore, që kështu të garantojmë shtet të së drejtës.
Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, ne do ta rishqyrtojmë edhe mbështetjen tonë për ndryshime kushtetuese në këtë mandat të Kuvendit. Nuk përjashtohet as ngrirja e plotë e kësaj mbështetjeje derisa ata janë në pushtet.
Nëse qeveria dëshiron ta injorojë Raportin dhe përgjegjësinë t’ia lë opozitës, atëherë prej saj nuk mund të presim që ajo të organizojë as zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkaq shkeljet e procesit zgjedhor do ta largojnë edhe më shumë vendin tonë nga BE-ja.
Sot është koha për veprim konkret dhe jo për deklarata boshe. Nëse këto konkluzione të Lidhjes Europiane për Ndryshim shpërfillen, ne e rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë hapa edhe më radikalë demokratikë. Askush nuk është mbi përcaktimin strategjik të shtetit dhe mbi interesat e qytetarëve!