Kurti: Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, por partneritet e bashkëpunim të gjerë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapjen e takimit të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka thënë se në mes të dyja shteteve nuk ka mosmarrëveshje.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë por edhe përmes lidhjeve mes familjeve dhe bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se takimi i sotëm ka një rëndësi simbolike pasi që përkon me 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike.
“Gjatë këtyre viteve kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje e memorandume që na kanë afruar më shumë me njëri-tjetrin. Sot do të nënshkruajmë edhe dy memorandume dhe një protokoll në fushë tgë rëndësishme sikurse energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, tha Kurti.