Kryetari i Kuvendi të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka reaguar ndaj kryetarit të qytetit të Tetovës dhe kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, i cili sot ishte i pranishëm në konferencën për media të opozitës shqiptare, ku zyrtarizuan bashkëpunimin edhe në Kuvend. Xhaferi në reagimin e tij thotë se Kasami e keqpërdori Kuvendin me atë që i shkeli procedurat e vendosura parlamentare për mbajtjen e konferencave për shtyp në ndërtesën e dhomës ligjvënëse, për promovim personal politik. “Gjegjësisht, në Kuvend është parashikuar procedurë e veçantë për mënyrën e mbajtjes së konferencave për shtyp për atë se ku dhe kush mund të shfrytëzojë këtë të drejtë. Në përputhje me këtë, Pres-qendra në dhomën ligjvënëse është e dedikuar vetëm dhe vetëm për deputetët e mandatit aktual, kështu që, është e paqartë se sot Kasami në çfarë cilësie ishte i pranishëm dhe u drejtua në konferencën e paparalajmëruar për shtyp në Kuvend. Si ish deputet, Kasami duhet të jetë i informuar për procedurat e dhomës ligjvënëse dhe të dijë se Kuvendi nuk është vendi ku ai mund të drejtohet qoftë si kryetar komune ose si kryetar partie”. “Përveç kësaj, në shkeljen e rregullave dhe normave parlamentare, Kasamit ju bashkëngjitën dhe e mbështetën edhe disa deputetë tjerë të cilët në kundërshtim me rregullat e vendosura, i mundësuan të drejtohet nga pres-qendra e Kuvendit, nga vendi i paraparë vetëm për deklarata të të zgjedhurve të popullit”, thuhet në reagimin e Talat Xhaferi. Ndryshe, sot Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike e njoftuan kryetarin e Kuvendit se deputetët e tyre do të veprojnë si grup parlamentar i përbashkët.
Pasi rastin e beri publik në rrjetet sociale nëna e foshnjës dhjetëditëshe nga Prilepi, e cila akuzoi mjekët e spitalit të Prilepit se foshnja e sajë ka humbur jetën shkaku i neglizhencës së tyre, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor do të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm.
Nga ajo që shpërndau në rrjetet sociale nëna e foshnjës, dhe që ngjalli reagime të shumta në publik, ajo akuzon se asnjë nga mjekët nuk kishte një përgjigje se si një foshnje e lindur me shëndet të plotë mori Sepsë.
“Arritëm në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve dhe foshnja u shtrua menjëherë në terapi intensive. Shkova në shtëpi me duar bosh. Ditën e shtrirjes në spital më thanë se ishte infeksion dhe pas dy ditësh analiza, thanë se fëmija kishte Sepsë të rëndë dhe se ashtu ishte sjellë nga Spitali i Prilepit. Fëmija im u trajtua në Klinikën e Shkupit për një javë, por fatkeqësisht nuk arriti ta kapërcejë sëmundjen e trashëguar nga pakujdesia e infermierëve dhe mjekëve”, shkruan mes tjerash nëna e foshnjës së ndjerë.
Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti bëri të ditur se Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor do të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm në spitalin e Prilepit.
“Inspektorati Sanitar iniciova sot që të ketë kontroll në Prilep menjëherë dhe gjithashtu edhe një komision nga ana e eksperteve do të shkoje atje, nuk do të flasim asgjë përmendësh, kur do të vinë raportet e kompletuara nga ana e inspektorëve dhe eksperteve do të shpërndajmë informata me mediumet”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
Nga spitalin e Prilepit një ditë më parë thanë se foshnja ka pasur vështirësi në frymëmarrje, mjekët i kanë bërë analizat e gjakut dhe i është caktuar terapi e dyfishtë me antibiotikë, por pas konsultimit me mjekun nga Klinika e Sëmundjeve të Fëmijëve është transportuar në Shkup. Ndërkohë, nga Klinika e Fëmijëve në Shkup thanë se foshnja është sjellë nga spitali i Prilepit në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore. /Alsat.mk