Me fillimin e vitit të ri shkollor, Kryetari i Alternatives, Zeqirija Ibrahimi, ka dërguar urimet më të ngrohta për të gjithë nxënësit e klasës së parë, duke e cilësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm në udhëtimin e tyre drejt dijes. Ai ka theksuar se shkolla është vendi ku fëmijët fillojnë të ndërtojnë ëndrrat dhe aspiratat e tyre për të ardhmen.
Në këtë rast të veçantë, Kryetari Ibrahimi ka shprehur krenarinë e tij për mundësinë që ka për të shpërndarë Abetaren Kombëtare, një libër i rëndësishëm që do t’i udhëheqë filloristët e parë në përvetësimin e gjuhës dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Ky donacion, i dhuruar nga Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, është një kontribuim për të ardhmen e ndritur të fëmijëve dhe mbështetje për edukimin e tyre.
Kryetari Ibrahimi shpreson që ky vit shkollor të jetë i mbushur me suksese dhe mësime të çmuara për të gjithë nxënësit dhe u shpreh i bindur se me përkushtim dhe angazhim, nxënësit do të arrijnë rezultate të shkëlqyera.