Kallëzim penal ndaj ish-drejtorit dhe ish- udhëheqëses në M-NAV – dyshime për keqpërdorim dhe dëm prej 1.5 milionë denarësh

Drejtoria për Policinë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër V.K., në cilësinë e ish-drejtorit ekzekutiv të Sektorit për Teknologji të Aviacionit në Shoqërinë Aksionare në pronësi shtetërore për kryerjen e veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve në navigimin ajror M-NAV AD Shkup, për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” sipas nenit 353 paragrafi 2 të Kodit Penal, dhe kundër B.A., në cilësinë e ushtrueses së detyrës së udhëheqëses së sektorit për prokurime publike në të njëjtën shoqëri aksionare, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” sipas nenit 353-v paragrafi 2 të Kodit Penal.
I pari i kallëzuar, V.K., ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare në atë mënyrë që ka bashkuar dy prokurime publike krejtësisht të ndryshme dhe të papajtueshme në një të vetme, konkretisht: prokurimin për përgatitjen e një zgjidhjeje tërësisht operative për menaxhimin e dokumenteve, përkatësisht blerjen e një zgjidhjeje softuerike, me prokurimin për arkivimin fizik dhe elektronik të dokumenteve. Duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, gjatë vitit 2022, në kundërshtim me nenin 89 të Ligjit për Prokurime Publike, ai ka përgatitur specifikimet teknike dhe dokumentacionin e tenderit me kushte diskriminuese dhe të paarsyeshme për përzgjedhjen cilësore për prokurimin publik për ofrimin dhe implementimin e një zgjidhjeje tërësisht operative për menaxhimin e dokumenteve me numër të shpalljes 12253/2022, në të cilat ka përfshirë kushte dhe kritere që kryesisht kanë të bëjnë me arkivimin fizik të dokumenteve dhe që nuk kanë lidhje me përgatitjen e një zgjidhjeje softuerike për menaxhimin e dokumenteve, gjë që është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit sipas nenit 8 dhe parimin e konkurrencës sipas nenit 5 të Ligjit për Prokurime Publike.