Gashi: Tek kryeministri Kurti u dakorduam se për të mirën e shqiptarëve duhet të dalim me një kandidat të përbashkët për president

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi në intervistë për Alsat, i pyetur rreth takimit të djeshëm në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ku pjesë e takimit ishte edhe lideri i ASH-së, Arben Taravari, tha se ai këtë vizitë e sheh në dy dimensione, njëra takimet që i kanë me përfaqësues në Tiranë dhe Prishtinë janë në vazhdën e takimeve që duhet t’i kenë në rrafshin kombëtar dhe e dyta është bashkëpunimi që ka të bëj me zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni, ato presidenciale dhe parlamentare.
“Natyrisht z.Kurti ka qenë në Maqedoni ka patur disa takime me krerët e shtetit, me z.Pendarovskin, këtu ishte në samitin ekonomik, e kështu me radhë. Këmbyem informacione, përvoja, e pamë mënyrë se si çfarë mund të bëjmë bashkërisht, cili është interesi i shqiptarëve në këtë mozaik, kontekst të tanishëm politik dhe i dhamë pikëpamjet e tona. Donë të thotë është takim miqësor, vëllazëror dhe asgjë tjetër. Kur folëm për sfidën kryesore që na vie si parti politike është zgjedhjet presidenciale si sfidë kryesore kjo dhe natyrisht aty duke diskutuar erdhëm te konstatimi se është interes i shqiptarëve i përbashkët që të kemi një kandidat kësaj here i përbashkët i cili me shumë gjasa për shkak të kontekstit të rrethanave edhe në kampin maqedonas ka shumë gjasa të dal në raundin e dytë dhe kështu të rriten mundësitë për fitore, pse jo “, tha Gashi në intervistë për Alsat.
Në pyetjen nëse Arben Taravari dhe ASH u pajtuan për një kandidat të përbashkët për president, Afrim Gashi tha se takimi nuk ka qenë vendimmarrës dhe se askush nga ata dhe as si LEN, nuk kanë shkaur me vendime të caktuara prej partive të tyre.
“E njëjta besoj edhe z.Taravari, edhe nuk kemi marrë asnjë vendim. Kemi diskutuar bashkërisht dhe natyrisht vendimet politike në fund të fundit vinë përmes organeve të partive tona. Ne çfarë do që vendosim duhet t’i referohemi dhe t’i kthehemi partive tona dhe t’i marrim ato vendime”, tha më tej Gashi.