Gashi: Ilindeni është kujtesë e vlerave të përbashkëta, na përket të gjithëve
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi ka vendosur lule të freskëta para përmendores së kryetarit të Presidiumit të KAÇKM-së Metodija Andonov – Çento me rastin e shënimit të festës së Ilindenit. Gjatë manifestimi para Parlamentit, Gashi ka kujtuar vlerat e Ilindenit dhe idenë rreth kësaj ngjarjeje historike e cila i kishte bashkuar të gjithë bashkësitë etnike që e përbëjnë edhe sot Maqedoninë e Veriut.
Në vazhdim fjalimi i plotë.
“Sot e festojmë Ilindenin! E festojmë në Krushevë, në Pelincë, në Shkup dhe në tërë shtetin. Prandaj sot jam veçanërisht i nderuar që, në shënimin e 80 vjetorit të Mbledhjes së parë të KAÇKM-së, pikërisht unë, si Kryetar i Kuvendit, kam nderin të drejtohem para godinës së Shtëpisë Ligjvënëse – tempullit të demokracisë ku punoi dhe veproi Presidiumi i parë i KAÇKM-së. Nderi është edhe më i madh sepse në këtë festë të rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendit tonë, drejtohem si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të lirë, të pavarur, demokratike dhe përparimtare, që është trashëgimi e popullit të Ilindenit nga viti 1903 dhe luftëtarëve nga viti 1944.
Ilindeni është thelbi i vizionit, bashkimit, guximit, një kujtesë e vlerave të përbashkëta rreth bashkimit, të cilat i festojmë dhe kremtojmë. Ilindeni nuk është i kufizuar, sepse ai na përket të gjithëve, duke filluar nga viti 1903, deri në vitin 1944 dhe të gjithëve të cilët sot investojmë për Maqedoninë Evropiane. Çdo 2 gusht, Ilindeni lind përsëri dhe jeton me çdo gjeneratë të ardhshme që ëndërron dhe punon për një Maqedoni më të mirë dhe me çdo individ, dashamirës të gatshëm për të dhënë dhe për t’u inkorporuar në prosperitetin e vendit të përbashkët.
Si multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale, vendi ynë është një pikturë unike e qëndisur nga të gjithë dallimet. Këto dallime janë themeli mbi të cilin zhvillohet dhe përparon vendi ynë edhe sot. Kjo është sigurisht në frymën e vlerave që u promovuan edhe në Republikën e Krushevës, si dhe në Maqedoninë e Pavarur të KAÇKM-së. Prandaj shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që të mos humbim energji në momente jo thelbësore dhe dytësore, por të fokusohemi në reformat dhe progresin në arsim, shëndetësi, gjyqësor, digjitalizim dhe çështje të rëndësishme për angazhimin dhe çështje nga miratimi i të cilit varet edhe përmirësimi i cilësisë së përditshmërisë së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Të ngrihemi mbi situatat dhe të gjejmë faktorë bashkimi në vend të ndarjes.
Fuqia jonë si shoqëri përbëhet nga diversiteti ynë. Mozaiku i kulturave, gjuhëve dhe traditave që e përbëjnë Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm dëshmi e trashëgimisë sonë të pasur, por edhe bazë për të ardhmen tonë. Në këto kohë sfiduese ne duhet të bashkohemi, duke tejkaluar kufijtë etnike dhe kulturore. Uniteti ynë është pasuria jonë më e madhe dhe pikërisht përmes këtij uniteti do të arrijmë madhështinë.
Në fakt, solidariteti është më shumë se një fjalë; është një thirrje për veprim. Kjo do të thotë të qëndrojmë së bashku përballë fatkeqësive, të mbështetemi njëri me tjetrin dhe të siguroheni që askush të mos mbetet pas. Pa marrë parasysh nëse kjo është në lagjet tona, vendet e punës apo bashkësitë tona, ne duhet të kultivojmë një frymë solidariteti që na lidh së bashku. Kështu krijojmë shoqëri në të cilën të gjithë kanë mundësinë të përparojnë.
Pikërisht Manifesti i Krushevës nga viti 1903 është dokumenti unifikues për të gjithë ata që donin të mirën për vendin tonë. Angazhimi i popullit të Ilindenit, i modifikuar vazhdon edhe sot. Ky është një angazhim për progresin e vendit, mirëqenie për qytetarët, një të ardhme më të mirë për brezat. Pikërisht, ideja që duhet të na bashkojë sot është patriotizmi dhe synimi i përbashkët për shtet më të mirë. Patriotizmi është shumë më tepër se një parullë, shumë më tepër se një deklaratë në media apo një foltore. Patriotizmi është një përkushtim i sinqertë ndaj vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Patriotizmi është investim në vend përmes punës së ndershme, vendimeve të mira, vetë-investimit për të mirën sot dhe më të mirën nesër.
Në vitin 1903, në Krushevë u formua republika e parë në këtë pjesë të Evropës. Kurse vizioni i Ilindenëve është një realitet i mishëruar për më shumë se 30 vjet. Në këto 30 vjet, kemi mësuar se e kaluara mbahet mend dhe ka të bëjë me të ardhmen. Çdo dekadë e ekzistencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut solli sfidat e veta. Sfidat në fillim ishin të etablohemi si shtet i pavarur dhe sovran, të vendosim marrëdhënie diplomatike, pastaj pasuan sfidat për t’u rritur në një shtet të qëndrueshëm dhe prosporitar që u hap mundësi qytetarëve dhe u ofron atyre perspektiva të reja. Që në ditën e parë të pavarësisë vendosëm rrugën tonë euroatlantike, e cila ishte sfiduese dhe aspak e lehtë. E ndamë një pjesë të saj, duke mbajtur një barrë të madhe, duke bërë kompromise në emër të suksesit për shtetin tonë.
Në fakt, rezultati më i suksesshëm i atyre hapave është pikërisht anëtarësimi në aleancën më të fuqishme të mbrojtjes – NATO. Duke pasur parasysh imazhin që gëzojmë si anëtar i barabartë i Aleancës, përgjegjësia jonë ndaj mbrojtjes do të rritet në periudhën e ardhshme, veçanërisht në kohë konflikti jo vetëm në Evropë, por edhe në pjesë të tjera të botës. Të gjithë anëtarët e NATO-së janë njëlloj përgjegjës për sigurimin e buxhetit të mbrojtjes që është mbi 2% të PVB. Investime në modernizimin e armatës, bashkëpunim me aleatët dhe investime në rivendosjen dhe ruajtjen e paqes botërore. Hapat që nuk do të jenë të thjeshtë, por falë gatishmërisë së shkëlqyer të forcave tona mbrojtëse dhe mbështetjes së planifikuar nga shteti, hapa të tillë janë të realizueshëm.
Trasa e dytë e rrugës sonë – ajo drejt Bashkimit Evropian është ende në vazhdim. Pavarësisht një sërë sfidash, jam i bindur se do të gjejmë zgjidhje, forcë dhe vullnet gjatë rrugës, për t’i kapërcyer dhe për t’u bërë së shpejti anëtare e BE-së. Ne duhet të fokusohemi në aspiratat tona për të ardhmen. Anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian nuk është vetëm qëllim politik; është një përkushtim ndaj një sërë vlerash dhe parimesh që do ta çojnë përpara vendin tonë. Rruga drejt anëtarësimit në BE është një rrugë drejt prosperitetit ekonomik, përparimit social dhe demokracisë më të fortë. Është një rrugëtim që kërkon përkushtim, punë të palodhur dhe përgjegjësi kolektive.
Në këtë ditë feste, nuk do të kthehem pas vështirësive që kaluam si shtet, sepse zgjedhja ime është të shikoj përpara dhe të punoj për një të ardhme më të mirë, të korrigjojmë ku është gabuar, ku u bënë gabime dhe u vendosën praktika të këqija, për të shtruar shtigje të reja, për të qenë shumë më mirë se “si deri më tani”. Së bashku me deputetët jemi të përkushtuar për të rikthyer besimin te ligji dhe drejtësia si një shtyllë stabiliteti dhe harmonie në një shoqëri. Askush nuk ka të drejtë për kushte të ndryshme ose më të mira për të ndërtuar një karrierë ose për të përvetësuar të mira materiale në kurriz të të tjerëve. Do të punojmë në miratimin e ligjeve që do të ringjallin ekonominë dhe do të sjellin investime të huaja në të gjitha qytetet në Maqedoninë e Veriut në mënyrë të barabartë dhe do të nxisin sipërmarrjen dhe inovacionin tek të rinjtë tanë. Kur flasim për të rinjtë, theks i veçantë do të vihet tek ligjet në fushën e arsimit, sepse arsimi cilësor është çelësi i zhvillimit afatgjatë, progresit dhe konkurrueshmërisë globale të një vendi. Nuk mund t’i arrijmë lehtësisht këto synime nëse nuk jemi në hap me teknologjinë moderne dhe digjitalizimin. Prandaj, ne do të jemi të përkushtuar pa u lodhur për të ndjekur trendet më të fundit në Evropë dhe botë.
Në këto hapa dhe aspirata do të kemi nevojë edhe për mbështetje nga të gjitha gjeneratat, përmes ideve dhe kontributit në masat që do të ngadalësojnë trendin e emigrimit të të rinjve duke iu përgjigjur nevojave, pritshmërive dhe vizioneve të tyre për përmirësimin e statusit të tyre në shoqëri dhe aftësimin profesional mundësi për përparim në krijimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Privilegji për të jetuar në shtet prosperitar dhe të qëndrueshëm nuk është një e drejtë që na vjen vetvetiu. Për këtë qëllim, reformat duhet të zbatohen seriozisht dhe me përkushtim në të gjitha sferat e shoqërisë dhe degët e menaxhimit shtetëror. Baza e atyre reformave është kthimi i vlerave thelbësore: vlerave familjare, respekti reciprok, bashkëjetesa. Vetëm me themele të shëndosha mund të ndërtohet një shtet i shëndetshëm dhe i avancuar. Le të bëjmë gjithçka që bënë të mëdhenjtë që krijuan vendin ku jetojmë sot, si Metodija Andonov Çento dhe Nexhat Agolli, për të lënë gjurmë me të cilën do të krenohen të parët tanë dhe shembull konsekuent për breza.
Ndërsa shohim përpara, le t’i përkushtohemi ndërtimit të Maqedonisë së Veriut që është gjithëpërfshirëse, prosperitare dhe progresive. Më lejoni të përdorim forcën tonë kolektive për të kapërcyer sfidat dhe për të kapur mundësitë. Së bashku, ne mund të krijojmë një shoqëri që jo vetëm respekton të kaluarën e saj, por e përqafon të ardhmen e saj me besim dhe vendosmëri.
Të dashur qytetarë, është koha të rikonfirmojmë përkushtimin tonë për unitet, solidaritet dhe progres. Të punojmë krah për krah për të ndërtuar një të nesërme më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Nga ky foltore ju falënderoj për durimin, këmbënguljen dhe besimin që keni investuar në një të ardhme më të mirë për Maqedoninë e Veriut dhe ju uroj ditë të bukur festive.
Faleminderit dhe shpirti i Ilindenit na frymëzoftë të gjithëve”