Gashi: Duhet ta përmirësojmë kulturën politike, jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha partitë
Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha partitë politike në vend.
Në një prononcim për Radio Dukagjinin, Gashi ka theksuar se është e rëndësishme të përmirësohet kultura politike në vend.
Ai ka shprehur vullnetin e tij për të krijuar raporte të mira me eksponentë të të gjitha partive politike, duke përfshirë edhe BDI-në.
Si kryetar i Kuvendit, Gashi ka potencuar detyrën e tij për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha partitë, duke u përpjekur që Kuvendi të ndihet si i veti për secilin prej tyre, pavarësisht nëse janë në opozitë.
Gashi ka shprehur dëshirën për të kultivuar frymën e bashkëpunimit ndërpartiak për të krijuar një atmosferë më të mirë politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Duhet ta përmirësojmë kulturën politike në vend. Jam munduar që të kem raporte shumë pozitive me eksponentë të të gjitha partive politike edhe me të BDI-së, tash si kryetar Kuvendi e kam edhe obligim por mbi të gjitha e kam vullnet që të bashkëpunoj shumë ngushtë me ta, do të jem shumë i hapur. Kuvendin dua t’ua ofroj atyre që ta ndjejnë si të vetin dhe secila parti ta ndjejë ashtu pavarësisht se do të jenë pjesë e opozitës, është detyrë e imja që si kryetar i Kuvendit që të gjithë deputetët ta ndjejnë parlamentin të barabartë. Do të kisha dashur bashkëpunim shumë të mirë me ta dhe dora ime është e shtrirë për bashkëpunim. Ne mund të kemi dallime ideologjike, partiake e kështu me radhë por mbi të gjitha jemi shqiptarë, kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe gjithmonë kur kemi pasur qëllime të përbashkëta si çështja e integrimit të vendit në NATO, avancimi i gjuhës shqipe, gjithmonë kemi qenë të gjitha partitë politike shqiptare bashkë prandaj mendoj se dua ta kultivoj këtë frymë, dua ta ngrisë këtë në një nivel edhe më të lartë për shkak se mendoj që është në shëndetin e mirë politik brenda shqiptare që ne të krijojmë raporte të mira mes vete”, u shpreh ai.