Edhe pensionistët i bashkangjiten thirrjes për bojkot të marketeve
Partia e Pensionistëve dha mbështetje për bojkotin e paralajmëruar të supermarketeve të premten për shkak të çmimeve të larta.
– Partia e Pensionistëve e kupton dhe e mbështet plotësisht nismën qytetare për bojkotin e supermarketeve më 31.01.2025, e cila po promovohet në rrjetet sociale në vend. Pensionistët, si një nga kategoritë më të rrezikuara ekonomikisht në shoqëri, janë thellësisht të prekur nga praktika e rrënjosur e një numri të madh tregtarësh dhe rrjete tregtare që manipulojnë dhe shkelin Ligjin për praktikat e padrejta tregtare, gjë që përbën një akt të dënueshëm ashpër. Për këtë arsye, Partia e Pensionistëve e mbështet plotësisht këtë nismë dhe u bën thirrje anëtarëve të saj, të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që të shprehin qëndrimin e tyre me një veprim konkret – bojkot ndaj atyre që përfitojnë në mënyrë të jashtëzakonshme, të padrejtë dhe joetike në kurriz të të gjithëve, thuhet në njoftimin e partisë.
Partia e Pensionistëve, përmes njoftimit, kërkon dhe mbështet qeverinë në marrjen e masave përfundimtare dhe efektive për zgjidhjen përfundimtare dhe afatgjatë të kësaj praktike të vazhdueshme të tregtarëve në vend.
“Ndërshmërisht, të Bashkuar, të Vendosur!!!” – thuhet në deklaratën e Partisë së Pensionistëve.
Ndryshe, siç është raportuar tashmë, për të premten, 31 janar, është paralajmëruar një bojkot masiv i supermarketeve të mëdha për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve.
“Bëjmë thirrje për një bojkot masiv të premten. Përmbahuni nga blerjet në supermarketet e mëdha, shmangni edhe ato të voglat. Duam të dërgojmë një mesazh se qytetarët nuk do t’i tolerojnë këto rritje të pajustifikueshme të çmimeve”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të bojkotit në rrjetet sociale.
Përveç në Maqedoninë e Veriut, edhe në Bosnje dhe Hercegovinë qytetarët kanë paralajmëruar bojkot të supermarketeve dhe dyqaneve më 31 janar, ndërsa thirrje të ngjashme ka edhe në Mal të Zi.
Kroacia, e cila tashmë ka organizuar protesta kundër çmimeve të larta në supermarketet e mëdha, është bërë frymëzim për këto thirrje.