Drejtori i ri i Toksikologjisë largon nga puna 18 të punësuarit me kontratë në vepër, ndërkohë thotë se duhen punësime të reja
Drejtori i ri i Klinikës së Toksikologjisë, Andon Çibishev largoi 18 të punësuar shqiptarë që paraprakisht ishin me kontrata të përkohshme në Klinikën e Toksikologjisë, ndërsa ndërkohë tha se ka nevojë për punësimin e 15 personave të tjerë.
Sipas tij problemi më i madh i Klinikës së Toksikologjisë është mungesa e kuadrit të ri, sepse mosha mesatare e punëtorëve të Klinikës është mbi 50 vjeç.
Ai paralajmëroi shpallje të konkursit sipas ligjit. Për të sapo larguarit, kreu i ri i Toksikologjisë theksoi se nuk kanë pasur pëlqim nga Ministria e Financave, por sipas tij edhe Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor kanë kontestuar punësimin për shkak të afatit të zgjedhjeve dhe mos firmosjes nga dy drejtorët.
Çibishev tha se për 6 muaj këta 18 të punësuar kanë marr paga në shumën totale prej 650 mijë denarë.
“Problemi më i madh i yni është ekipimi i kuadrit, gjë që ne do të përpiqemi të gjejmë kuadër të ri. Vetëm kështu do tu vijmë në ndihmë fluksit të pacientëve. Megjithatë në periudhën e kaluar kemi pasur 18 të punësuar, të cilët kanë punuar pa marrëveshje të vlefshme”.
“Kontratat e tyre kanë skaduar 31.12.2023 dhe në 6 muajt e fundit ata kanë punuar në mënyrë të jashtëligjshme. Kjo solli situatë konfliktuoze ndërmjet të punësuarave dhe ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e procesit të punës në tërë Klinikën”, tha Andon Çibishev, drejtor i Klinikës së Toksikologjisë.