Deputetja izraelite: Gazën duhet ta fshijmë nga sipërfaqja e dheut
Galit Distel Atbaryan, anëtare e partisë qeverisëse Likud në Izrael, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, tha se Gaza duhet të fshihet plotësisht nga faqja e dheut, transmeton Anadolu.
Atbaryan, në një deklaratë në llogarinë e saj në rrjetin social “X”, bëri thirrje për spastrim etnik të Rripit të Gazës.
Duke iu drejtuar izraelitëve, Atbaryan shkroi: “Mos urreni njëri-tjetrin. Përbindëshat ju urrejnë mjaftueshëm. Urreni armikun. Urreni përbindëshat”.
“Madje edhe grindjet më të vogla të brendshme janë humbje çmendurisht budallaqe e energjisë. Investoni këtë energji në një gjë; Për të zhdukur gjithë Gazën nga faqja e dheut. Përbindëshat nga Gaza ose do të shkojnë në gardhin jugor dhe do të përpiqen të hyjnë në territorin egjiptian, ose do të vdesin. Gaza duhet të fshihet nga faqja e dheut”, ka shkruar ajo.
Deputetja izraelite, e cila gjithashtu i përshkroi palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar si “nazistë” dhe uroi “zjarr dhe tym” për ta, tha: “Ka nevojë për një ushtri hakmarrëse dhe mizore izraelite. Çdo gjë më pak është imorale. Është krejtësisht joetike”.