Deputetja e Alternativës: Deponia “Drislla” bombë reale ekologjike, Inspektorati dhe Ministria e Ekologjisë vazhdojnë të jenë indiferent

Deputetja e partisë Alternativa, Safije Sadiku Shaini në seancën e pyetjeve të deputetëve, ka riaktualizuar çështjen e deponisë Drislla, e cila po helmon qytetarët e komunës së Studeniçanit, më konkretisht ato të Batincës. Deputetja tha se nuk është e kënaqur nga përgjigja e ministres Kaja Shukova, ku thuhet se, ministria i ka dhënë udhëzime deponisë se cilat janë standardet për një deponi të tillë dhe se përgjegjës për zbatimin e udhëzimeve është Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.
“Në këtë mënyrë, njësoj si Pilati që i lau duart para vendimit për kryqëzimin e Krishtit, ministrja thjesht shfajësohet, i lan duart para mëkatit, duke ia hedhur fajin një organi tjetër ndonëse gjendja në terren është katastrofale. Nëse përgjegjës për zbatimin e standardeve ekologjike qenka ky inspektorat, që sipas ministres i bie se nuk e kryen detyrën si duhet, sepse ne e dimë se deponia “Drislla” tashmë është bombë reale ekologjike dhe burim i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, si dhe burim i sëmundjeve malinje, shtrohet pyetja tjetër se si mund ta lejojë apo pse e toleron apo nuk merr masa Ministria e Mjedisit Jetësor kundër Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, që i bie se e lejon punën e këtillë të deponisë “Drislla”?”, ka deklaruar deputetja Shaini.
Ajo ka shtuar se a i mjafton ministres që e ka gjetur një fajtor që ta lejojë mbytjen e kafshëve dhe helmimin e njerëzve të fshatit Batincë dhe të vendbanimeve të tjera përreth?
“Që ta konkretizoj, pyetja ime shtesë është se çfarë do të ndërmarrë Ministria e Mjedisit Jetësor nëse Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor vazhdon të jetë indiferent ndaj kësaj katastrofe ekologjike të shkaktuar nga deponia “Drislla”?, ka deklaruar më tej deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini,