Deputetes australiane i mohohet e drejta të paraqesë në Parlament emrat e palestinezëve të vrarë
Deputetja e opozitës australiane, Mehreen Faruqi pretendoi të martën se qeveria laburiste bllokoi përpjekjen e saj për të paraqitur në Parlament emrat e palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Faruqi, nënkryetare e të Gjelbërve Australianë, tha se ajo u përpoq të paraqiste në Senat emrat palestinezëve të vrarë nga shteti i Izraelit në Gaza. “Më është mohuar e drejta që të paraqes këta emra nga qeveria laburiste”, shkroi ajo në X.
“Këta janë njerëz, jetët, ëndrrat dhe shpresat e të cilëve u shuan nga forca brutale pushtuese dhe laburistët nuk do të më lejojnë as t’i paraqes këta emra në procesverbalin parlamentar. Nuk do të lejojmë të harrohen palestinezët që u masakruan”, tha senatorja.
Ajo kërkoi gjithashtu armëpushim dhe tha se duhet t’i jepet fund kësaj dhune të neveritshme.
Mbi një muaj pas sulmeve të Izraelit në Gaza, qeveria laburiste e Australisë ka ecur mbi një tel të hollë, nga njëra anë duke dënuar Hamasin dhe duke mbështetur zgjidhjen me dy shtete si dhe duke kërkuar t’i jepet fund dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ndërsa sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë hyrë në ditën e 39-të, të paktën 11.180 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 7.700 gra dhe fëmijë dhe më shumë se 28.200 të tjerë janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.
Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.
Ndërkohë, numri i izraelitëve të vrarë është 1.200, sipas shifrave zyrtare.