Demokracia apo korrupsioni, nga t´ia nisim?
Nuk mundesh të kesh demokraci në shoqëri e as shtet me institucione demokratike, nëse në radhë të parë nuk ke parti me demokraci të institucionalizuar së brendshmi. Forumet, diskutimet, proceset dhe debatet brendapartiake janë terreni ku mbruhet më së pari demokracia. Janë partitë politike ato që e kanë mundësinë dhe misionin për ta dërguar politikën si diskutim e si edukim, po edhe si angazhim e si vendim, deri në fshatrat e lagjet ku jetojnë njerëzit e thjeshtë.
Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë
Është e pashmangshme. Sa herë që flasim për demokracinë, flasim edhe për dështimet e saj. Aq sa, është krijuar tek ne një disfatizëm i përgjithshëm, një bindje se demokracia nuk është e aplikueshme për ne shqiptarët. Një lloj vetë-racizmi shfaqet jo rrallë edhe tek politikanët tanë, të cilët i justifikojnë dështimet dhe korrupsionin e tyre me shpjegimin se ne shqiptarët jemi tashmë të infektuar nga “lindja”. Në një perspektivë raciste të historisë, demokracia i përket perëndimit ndërsa është e paaplikueshme në lindje, e papërputhshme me kulturat e fetë e atjeshme. Kjo perspektivë (si çdo perspektivë tjetër raciste e esencializuese) është e gabuar. Ajo nuk shpjegon dot, për shembull, shfaqjen e diktaturave e totalitarizmave agresive e shtypëse në vende perëndimore gjatë shek. XX, por edhe rishfaqjen e rifuqizimin e ideologjive jotolerante, raciste, ksenofobe e identitariste që synojnë të marrin pushtetin në vende të rëndësishme perëndimore edhe në ditët tona. Në vend se t´i hyjë analizës së thellë e të komplikuar për të gjetur shkaqe e për të hipotezuar zgjidhje, kjo perspektivë i bie shkurt: lindja është sëmundje, perëndimi ilaç; ne jemi të sëmurë, por a kemi fuqi të pimë ilaçin e hidhur.
Shpjegimet e shkurtra, paçka se të paafta për t´u marrë me probleme të ndërlikuara, nëse përqafohen nga vektorë me pushtet politik dhe mediatik, bëhen tepër efikase. Kjo ka ndodhur në rastin tonë, e si pasojë disfatizmi vetë-racializues është bërë shpjegim i përgjithshëm. Korruptohen pushtetarët me qindra miliona euro? S´kemi ç´bëjmë – na thonë vetë të korruptuarit ose mediat e tyre – fajin na e ka mikrobi lindor që na ka korruptuar të gjithëve. A nuk i ka qëlluar shumëkujt të japë 10 euro për të shmangur ndonjë gjobë 50 eurosh në trafik? A nuk i ka qëlluar shumëkujt të paguajë në ndonjë institucion apo në ndonjë spital për të hyrë pa radhë? A nuk përpiqemi t´u qasemi kështu gjykatësve, prokurorëve, policëve, more po edhe sportelistëve e recepsionistëve të institucioneve private, e jo vetëm të atyre publike. Siç na e kujtoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa po i arrestohen bashkëpunëtorët për korrupsion galopant, a nuk është e vërtetë që në popullin tonë të gjithë jemi të korruptuar e korruptues? Madje, edhe në “kohën e Enverit”, kur paranë nuk kishte ku ta çonte askush, a nuk u ndërtua një sistem paralel ekonomik, ku ryshfeti jepej në formën e dhuratave, diku stof për kostum, diku ndonjë vazo mjaltë a reçel, diku ndonjë shishe vaj ulliri apo raki shtëpie? E, pra, edhe në kohën e kontrollit maksimal dhe të gjyqësisë së ashpër, korrupsioni e ryshfeti nuk u shuan – na përkujtoi Rama – kështu që mos prisni se do të shuhet tash. Pesëqind vjet lindje do të kërkojnë të paktën pesëqind vjet perëndim që ta fitojmë këtë betejë. Pra, sipas kësaj logjike, politikanët po na kërkojnë edhe katër shekuj afat, që të heqin dorë nga korrupsioni. Po e justifikojnë vjedhjen e qindra miliona eurove nga pushtetarët, me kundërvajtjet ose evazionet e vogla që bën ndoshta një pjesë e popullit të thjeshtë. Po justifikohen kriminelët e mëdhenj, fajtorët që lënë pa zhvillim, pa shkolla e spitale cilësore, pa prodhim e zhvillim ekonomik, me faktin se shumëkush bën edhe shkelje të vogla. Po justifikohet të qenit djall me shtatë palë brirë, me faktin se edhe të tjerët nuk janë tamam engjëj. Aty ku “jemi fajtorë të gjithë” nuk është fajtor askush. Por, a mund ta pranojmë një palogjikshmëri të tillë?
Ujku mjegull do, por detyrë e intelektualit para popullit të cilit i përket është përpjekja që ta davarisë mjegullën. Meqenëse thamë më sipër se bindja që demokracia është perëndimore dhe korrupsioni është lindor është bindje e gabuar, atëherë është e mira të shohim ndonjë rast nga perëndimi, që përngjan me situatën tonë.
Na vjen mbase në ndihmë njëri prej historianëve më të spikatur përgjatë gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, marksisti britanik Eric Hobsbawm, me studimin që i bëri formave arkaike të lëvizjeve shoqërore në shekujt XIX dhe XX (Primitive Rebels, 1959). Ndër të tjera, aty e ka një përshkrim mbresëlënës për Italinë e Jugut. Aty shkruan se “çdo ndryshim i pushtetit politik përgjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, pavarësisht se nga cila anë e spektrit vinte, automatikisht prodhonte marshime ceremoniale fshatarësh, me daulle, brohorima e banderola për marrjen e tokave”. Pra, fitoi kush fitoi, herë me zgjedhje e herë me revolta, herë regjimi i vjetër monarkist i Burbonëve, herë republikanët garibaldinë, herë regjimi i ri monarkist i Savojave, herë e djathta konservatore, herë e majta liberale a progresiste, fshatarët dilnin në rrugë me daulle e me zurna, me brohorima e me këngë e valle, me pishtarë e me banderola, të gëzuar se kësaj radhe që fituan njerëzit e duhur, me siguri fshatarëve do u jepej tokë. Kjo situatë përngjan me zakonin që sot e kësaj dite e kemi ne shqiptarët edhe në shek. XXI. Fiton kush i fiton zgjedhjet, nisin këngët e vallet, ndizen fishekzjarret, shpallen deklarata të mëdha se erdhi një ndryshim i paparë e i padëgjuar ndonjëherë, se fukarallëku e maskarallëku u la përgjithmonë pas. Populli i thjeshtë del të festojë me shpresën se kësaj radhe do të ketë pak më shumë punë, pak më shumë investime, pak më shumë drejtësi, pak më shumë pensione, spitale, shkolla e lulishte. Ama fare pak më shumë.
Ky fenomen tek ne s´është fort i ri. Ai haset, për shembull, edhe te poetika politike e Fan S. Nolit, veçanërisht te dy poezitë simetrike “Marshi i Krishtit” dhe “Marshi i Barabajt”. Prifti revolucionar, i cili përdorte figuracionin biblik për të shprehur ide politike, tregon se si i njëjti popull shqiptar me brohorima e festë të madhe kishte mbështetur ngadhënjimin e revolucionit çlironjës që do shpërndante pasuri dhe liri dhe fuqi, por brenda të njëjtit vit me po ato këngë e valle priti edhe rikthimin e legalitetit monarkik të cilit revolucionarët ia linin fajin për varfërinë, poshtërsinë e robërinë që dominonte në shtresat e ulëta popullore, por edhe për lënien “pa atdhe” si pasojë e marrëdhënieve asimetrike me fuqi të interesuara për sundimin direkt ose indirekt të Shqipërisë.
Bie në sy te Noli tematika mesianike, tipike për lëvizjet milenariste (që ka për fokus studimi i Hobsbawm-it). Dallimi kryesor, sipas Hobsbawm-it, mes lëvizjeve milenariste dhe lëvizjeve revolucionare moderne, ishte mungesa e analizës dhe e programit për atë çka vinte pas rrëzimit të zullumqarëve, si dhe mungesa e edukimit politik për atë “çka duhet bërë?”, siç e shtronte pyetjen një revolucionar profesionist. Mungesa e edukimit politik shkaktonte analfabetizëm ideologjik – i njëjti person mund të kërcente sa majtas-djathtas pa e kuptuar se pse e si. Të qenit “as i majtë as i djathtë” apo “edhe-edhe” është një prej karakteristikave tipike të oportunizmit primitiv. Organizimet milenariste dallojnë edhe prej lëvizjeve populiste, në sensin teknik të fjalës. Lëvizjet populiste e bazojnë aksionin e tyre politik tek kërkesa që perceptohen si legjitime nga perspektiva e shumicës, edhe pse jo ende legale nga perspektiva e shtetit. Për sheëmbull, në shekullin XIX në SHBA populistët (që ishin një parti e suksesshme elektorale) kërkonin reformë agrare dhe rishpërndarje të tokave, ndërsa sot në Europë populistët kërkojnë mbrojtjen e prodhimit bujqësor europian përballë presioneve nga importi etj. Ndërsa mileniaristët synojnë “një botë të re”. Lëvizje të tilla kanë qenë tipike për kohët dhe shoqëritë pre-moderne. Sa herë që kushtet ekonomike përkeqësoheshin dhe pabarazia thellohej, shfaqej diku ndonjë “mesi”,”mehdi”, ndonjë rimishërim i Budës apo ndonjë guru i shenjtë, që do të udhëhiqte masat drejt përmbysjes ekstatike të zullumqarëve, pas së cilës imagjinohej se do të kishte më shumë liri, pasuri e fuqi për njerëzit e thjeshtë.
Sidoqoftë, milenarizmi ka qenë fenomen politik. Gjurmë të kësaj politike paramoderne, më duket se gjejmë edhe sot e kësaj dite në shoqërinë tonë shqiptare e cila tash tre-katër dekada përjeton pluralizmin elektoral që përshkruhet nga mediat masive si “demokraci”. Për shembull, sa herë që ka zgjedhje, cilado palë që fiton, del e feston. Simpatizantët dalin majë makinave, me flamuj partiakë, u bien borive, fishkëllejnë, rrotullojnë gomat nëpër asfalt, brohorasin, bërtasin. Ka madje edhe nga ata që mund të mos kenë votuar fare për partinë që fitoi, por dalin të festojnë për t´u dukur si mbështetës, me shpresën që kjo do t´ua mundësojë ndonjë favor nga pushtetarët në të ardhmen. E kam parë këtë të ndodhë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, sa herë që kam përcjellë zgjedhjet si këshilltar politik pranë ndonjë fushate, si studiues ose edhe thjesht si spektator. Shpesh ka qëlluar që, për shkak të formulës elektorale ose kornizës kushtetuese, të mos dihet menjëherë se cili është fituesi, e në raste të tilla kanë dalë ta festojnë fitoren më shumë se një palë garues. Të gjithë fitues, të gjithë në ekstazë. Zhurmë e madhe, rroftë ky e poshtë ai nga njëra palë, mos rroftë ai i yti e lart ky i imi, nga pala tjetër. Raste të tilla janë të mbarsura me potencial për trazira. Palët fituese mund të kapen ndërvedi se cila është më fituese se tjetra. Jo gjithmonë, mirëpo as tërësisht kurrë, thyhen xhama zyrash e veturash, por edhe nofulla simpatizantësh. Ndizen fishekzjarrë, diku-diku qesin zjarr edhe kallashët ose revolet e demokracisë sonë.
Kjo lloj ekstaze festive është thjesht mbetje rudimentare e milenarizmit primitiv. Nuk mund të thuhet se shqiptarët e shekullit XXI besojnë se, përmes rrëzimit të njërës partie e ngritjes lart të tjetrës, do të rrëzohet bota e vjetër dhe do të agojë e reja. Pa dyshim, ka plot midis tyre që janë të bindur se partia e vet është më e mirë, drejtohet nga njerëz më të moralshëm etj. Por, pritshmëri milenariane të vërteta nuk ka, pavarësisht se ndonjëherë fjalimet e liderëve tingëllojnë si të atilla.
Celebrimet ekstatike të votuesve shqiptarë, me pasionin e tyre të nxituar e ndonjëherë të shfrenuar, reflektojnë në radhë të parë një lloj pasigurie, një lloj mosbesimi te institucionet dhe te demokracia. Ato reflektojnë edhe diçka tjetër – përjetimin e politikës elektorale si politikë tribale: pas zgjedhjeve njëra tribu fiton e tjetra humb dhe nis ndarja e “plaçkës”. Partia tribale nuk është politike. Ajo nuk e përfshin dhe as nuk përjashton dikë për shkak të bindjeve politike, por për shkak të lidhjes së besnikërisë gati se të verbër ndaj ngjyrave e logove. E, pra, këto dy elemente, milenarizmi dhe tribalizmi, janë ato që duhen tejkaluar për ta mundur betejën me korrupsionin e për të ecur përpara drejt institucionalizimit shoqëror e shtetëror të demokracisë.
Çështja është se si? Teksa shumëkush e vë theksin te nevoja për forcim të gjyqësorit, te ndarja e pushteteve, e të tilla si këto, unë dëshiroj të theksoj diçka që më rrallë përmendet, por që besoj se ka rëndësi prioritare: nevoja për të pasur parti mirëfilli politike.
Nuk mundesh të kesh demokraci në shoqëri e as shtet me institucione demokratike nëse në radhë të parë nuk ke parti me demokraci të institucionalizuar së brendshmi. Forumet, diskutimet, proceset dhe debatet brendapartiake janë terreni ku mbruhet më së pari demokracia. Janë partitë politike ato që e kanë mundësinë dhe misionin për ta dërguar politikën si diskutim e si edukim, po edhe si angazhim e si vendim, deri në fshatrat e lagjet ku jetojnë njerëzit e thjeshtë. Atje ku partitë funksionojnë të korruptuara së brendshmi, pa respekt për statutet e rregulloret, pa respekt për anëtarësinë e strukturat, por me imponim të vullnetit të pushtetit, atje vështirë se jashtë partive do të gjesh demokraci. Atje ku partitë mblidhen vetëm para zgjedhjeve e vetëm për të bërë fushatë, gjithmonë perceptimi i shoqërisë për politikën do të jetë mosbesues. Partitë që funksionojnë vetëm për fushata, detyrimisht do të mbështeten në populizëm e milenarizëm, pra do ta mbajnë elektoratin e tyre në një stad më të ulët zhvillimi. Ndërsa partitë që e marrin seriozisht organizimin dhe strukturimin e vazhdueshëm demokratik, ofrojnë platformën e veçantë ideologjike ku secili qytetar mund të formësohet politikisht, mund të mprehë idetë dhe qëndrimet e veta, pra të jetë përfaqësues i mirëfilltë i interesave, nga një anë për komunitetin ku bën pjesë, nga ana tjetër për vizionin ku dëshiron të shkojë. Mandej gara mes partive të tilla do të ishte konkurrencë mes ideologjive të ndryshme, jo për fitoren përfundimtare, por për një proces avancimi të vazhdueshëm, gjithnjë përmes kritikash.
Demokraci pa parti demokratike nuk është e mundur. Demokraci me parti që mendojnë të gjitha njësoj, pra pa profilizim ideologjik e programor, as kjo nuk është e mundur. E këto mungesa janë shkaktaret fillestare të korrupsionit. Të kesh parti politike me ideologji të veçanta (brenda spektrit demokratik), të cilat edhe së brendshmi funksionojnë demokratikisht, në mënyrë të institucionalizuar e të vazhdueshme (pra jo vetëm për fushata e zgjedhje), ky është, në mendimin tim, hapi i parë që na modernizon demokratikisht e na nxjerr prej batakut të korrupsionit. Sa më shumë që garojnë partitë për ide e programe, aq më pak garojnë për rrogën e dikujt tjetër. Sa më shumë edukohen qytetarët për politikën (e sa më vazhdimisht), aq më pak do ta përjetojnë atë si proces milenarist apo si premtim populist. Atëherë do të kishim më pak festa me valle në rrugë pas zgjedhjeve, më pak mashtrime e zhgënjime, e më shumë logjikë politike e presion qytetar për përfaqësim e zhvillim.