Kosovë Lajme Top

Brukseli, shuplaka Beogradit për Banjska-n

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, Serbia mori nota të këqija në kapitujt kryesorë 23 dhe 24 për sundimin e ligjit, u theksua rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe se Serbia nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe ndikimet politike dhe ekonomike në mediat vazhdojnë të shkaktojnë shqetësim, raportoi Radio Evropa e Lirë (RFE).

Të mërkurën, Komisioni do të publikojë një raport për progresin e vendeve kandidate dhe pritet t’u rekomandojë krerëve të shteteve apo qeverive të Bashkimit Evropian hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën.

Në dokumentin e KE-së, në të cilin RFE kishte akses, së bashku me notat e këqija për kapitujt 23 dhe 24 për sundimin e ligjit, theksohet se Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare kundër Rusisë dhe se nuk mbylli hapësirën për të huajt, ndërhyrjen e tyre dhe manipulimin e informacionit.

U theksua se pavarësisht aspiratave për anëtarësim në Union, të cilat Serbia i cilëson si synim strategjik të vendit, qeveria lidh marrëveshje tregtare me Kinën dhe vende të tjera të treta që nuk i plotësojnë standardet e BE-së.

Gjithashtu, KE sugjeron që Serbia të bëjë më shumë përpjekje dhe të bëjë kompromise në mënyrë që procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën të ecë përpara, me domosdoshmërinë e përmbushjes së obligimeve të saj në kuadër të dialogut, me zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme.

Normalizimi i marrëdhënieve theksohet si “kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve”, dhe KE thotë se edhe Serbia edhe Kosova, nëse nuk ka përparim, “rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”.

Raporti vjetor për Serbinë konfirmon se marrëdhëniet me Kosovën janë prekur veçanërisht nga sulmi i dhunshëm ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë afër Zveçanit, kur u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës dhe tre serbë të armatosur.

U theksua pritshmëria e BE-së se autorët do të arrestohen dhe do të sillen shpejt para drejtësisë dhe se Serbia do të bashkëpunojë plotësisht dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm.

Kosova dhe Serbia, thotë KE, “duhet të vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për deeskalim” dhe sa më shpejt të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, “me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës“, të cilët bojkotuan zgjedhjet e fundit lokale. /tesheshi.com/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *