Brigadat Al-Qassam: Në 48 orët e fundit kemi shkatërruar 27 automjete ushtarake izraelite
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam, njoftoi se në 48 orët e fundit, gjatë luftimeve në Rripin e Gazës, kanë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht 27 automjete ushtarake izraelite, transmeton Anadolu.
Ebu Ubeide, zëdhënësi i Brigadave Al-Qassam, theksoi në llogarinë e tij në Telegram se do të vazhdojnë luftimet me forcat izraelite të cilat kanë hyrë në Rripin e Gazës përmes rrugëve tokësore.
Ai më tej shtoi se gjithashtu kanë kryer sulme mbi forcat armike me dhjetëra granata nga minahedhës dhe kanë hyrë në përleshje direkte me ta duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Ushtria izraelite ende nuk është prononcuar lidhur me deklaratën e Ebu Ubeides.
Ushtria izraelite nisi sulme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 10.022 palestinezë, duke përfshirë 4.104 fëmijë dhe 2.641 gra, u vranë nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës. Sipas të dhënave zyrtare, numri i të vdekurve në Izrael është rreth 1.600.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.