Blog Lajme Maqedoni e Veriut

Bekim Sali merr drejtimin e Çështjeve Evropiane: Përgjegjësi e madhe për reforma dhe afrimin real me BE-në

Zv/kryeministri i parë, Bekim Sali, është emëruar sot zyrtarisht në Kuvend në pozitën e ministrit për Çështje Evropiane, duke e cilësuar këtë detyrë si një përgjegjësi të madhe morale dhe politike ndaj qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit.

“Sot, në Kuvend, jam emëruar zyrtarisht në pozitën e Ministrit për Çështje Evropiane. Kjo nuk është vetëm një detyrë institucionale, por një përgjegjësi e madhe morale dhe politike ndaj çdo qytetari që beson në një të ardhme më të drejtë, më të zhvilluar dhe evropiane për vendin tonë”, ka deklaruar Sali.

Ai theksoi se rrugëtimi drejt integrimit evropian ka qenë dhe do të mbetet i vështirë, duke falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë qenë pjesë e këtij procesi.

“Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë dhe nuk do të jetë i tillë as përpara. Prandaj, me mirënjohje të thellë falënderoj secilin që ka besuar, ka kontribuar dhe ka qëndruar pranë nesh edhe në momentet më sfiduese”, u shpreh Sali.

Në fjalën e tij, ai veçoi edhe rolin e ish-kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, duke e cilësuar mbështetjen e tij si vendimtare.

“Në veçanti, dua të falënderoj mikun tim të çmuar, Prof. Zeqirija Ibrahimin, për mbështetjen e tij të palëkundur dhe për besimin e dhënë pa rezerva”, tha Sali.

Po ashtu, ai shprehu respekt dhe mirënjohje për ministrin e deritanishëm të Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, duke vlerësuar kontributin dhe udhëheqjen e tij.

“Shpreh respekt dhe mirënjohje për z. Orhan Murtezani për kontributin e tij të çmuar, për udhëheqjen e përgjegjshme dhe bashkëpunimin korrekt”, deklaroi Sali, duke shtuar se pret bashkëpunim të vazhdueshëm në proceset që e presin vendin.

Sali ritheksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet absolut. “Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është mision politik, obligim shtetëror dhe shpresë qytetare që nuk pret më”, theksoi ai.

Në fund, zv/kryeministri i parë u zotua për angazhim maksimal në realizimin e reformave dhe afrimin konkret të vendit drejt BE-së.

“Me përgjegjësi, me unitet dhe me besim në vlerat evropiane, do ta çojmë këtë proces përpara, për qytetarët tanë dhe për brezat që vijnë”, përfundoi Bekim Sali.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *