BDI largon nga puna 23 shqiptarë, përfshi një veteran lufte, reagojnë ish-ushtarët e UÇK-së
Drejtori i Qendrës Turistike “Kodra e Diellit”, kuadri i BDI-së Adem Avziu, ka larguar nga puna 23 shqiptarë të punësuar në këtë qendër turistike. Në mesin e të larguarve është edhe ish-ushtari i UÇK-së nga fshati Gajre, Salajdin Nebiu, i cili ka punuar në këtë qendër për 15 vjet.
Për këtë skandal kanë reaguar edhe bashkëluftëtarët e Salajdin Nebiut.
“Unë, Rexhep Halili, ish-ushtar i UÇK-së dhe në emër të 13 ish-ushtarëve të tjerë të UÇK-së të fshatit Gajre, reagojmë ashpër ndaj suspendimit dhe largimit nga puna të ish-bashkëluftarit tonë Salajdin Nebiut i punësuar në Qendrën Turistike “Kodra e Diellit”, i cili ishte i punësuar me vendim në kohë të pacaktuar në këtë qendër para 15 viteve”, thuhet në reagimin e veteranit të UÇK-së Rexhep Halili.
Ai thotë se Salajdin Nebiut dhe 22 të punësuarve të tjerë më 02.02.2024, në kundërshtim me ligjin për marrëdhënie pune dhe marrëveshjes kolektive në mes sindikatës dhe drejtorisë së më hershme, drejtori i këtij institucioni Adem Avziu ka bërë shkelje ligjore duke i larguar nga vendet e punës 23 të punësuarit e kësaj ndërmarrjeje.
“Të largosh dhe t’i lësh pa punë 23 familje në këtë kohë, në këtë krizë ekonomike dhe disa edhe para pensionit të përjashtohen nga puna nuk ka koment dhe arsyetim!”, shkruan Rexhep Halili.
Ai kërkon që organet e hetuesisë, gjykata themelore e Tetovës të hap procedurë hetimore ndaj drejtorit të BDI-së.