Afrim Gashi takon Tijs Ruten në Bruksel: Mbështetja nga BE-ja, vendimtare për integrimin
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë vizitës në Bruksel, zhvilloi një takim me Tijs Ruten, referues në hije i grupit politik të socialdemokratëve në Parlamentin Europian. Takimi u fokusua në përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për avancimin e procesit të integrimit europian.
Gashi theksoi rëndësinë e mbështetjes nga grupet politike të Parlamentit Europian për realizimin e agjendës reformuese të vendit, si dhe për plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjatë diskutimeve, palët u pajtuan se bashkëpunimi me institucionet dhe forcat politike të BE-së është kyç për të siguruar një rrugë të qëndrueshme drejt përmbushjes së objektivave strategjikë të Maqedonisë së Veriut. Gashi shprehu besimin se angazhimi i vazhdueshëm do të kontribuojë në përshpejtimin e integrimit dhe forcimin e perspektivës europiane të vendit.