Afrim Gashi: Seancë komemorative për njëvjetorin e tragjedisë së Koçanit
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se kanë realizuar një një seancë komemorative me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Koçanit.
“Realizuam një seancë komemorative me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Koçanit, në të cilën përkujtuam dhe nderuam me dhimbje 63 të rinjtë që humbën jetën në natën tragjike të 16 marsit 2025 – një ngjarje që la plagë të thella në ndërgjegjen e gjithë shoqërisë sonë.
Në fjalën time theksova se kjo tragjedi është edhe një moment reflektimi për të gjithë ne dhe se kujtimi për jetët e humbura duhet të na shërbejë si thirrje për më shumë përgjegjësi, drejtësi dhe ndërgjegje në çdo institucion dhe në çdo vendimmarrje.
Shpreha mirënjohjen për të gjithë ata që në ditët më të vështira treguan humanizëm dhe solidaritet: mjekët, infermierët, zjarrfikësit, policinë, vullnetarët, Kryqin e Kuq dhe qytetarët që u mobilizuan për të ndihmuar. Njëkohësisht falënderova edhe shtetet mike që hapën dyert dhe ofruan ndihmë për të plagosurit tanë.
Ndonëse asnjë fjalë dhe asnjë gjest nuk e zbeh dhimbjen e tyre, në emër të institucioneve dhe të gjithë qytetarëve, shpreha respektin dhe solidaritetin më të thellë për familjet e viktimave. Dhimbja e tyre mbetet dhimbja e të gjithë neve”, ka shkruar Gashi.




