Lajme Maqedoni e Veriut

Afrim Gashi në Bruksel: Kërkojmë mbështetje për një Rezolutë të drejtë për Maqedoninë e Veriut

Gjatë një vizite zyrtare në Bruksel, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me z. Thomas Weitz, referues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian. Diskutimet u përqendruan në çështje kyçe të integrimit europian dhe bashkëpunimin mes vendit dhe Bashkimit Europian.

Gashi përshëndeti miratimin e Planit për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, duke reflektuar njëkohësisht mbi dështimin e miratimit të Rezolutës për Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar. Ai shprehu optimizëm për të ardhmen, duke kërkuar që Rezoluta e ardhshme të jetë objektive dhe të pasqyrojë realitetin pa interpretime të njëanshme.

Në takim, Kryetari i Kuvendit nënvizoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut për ruajtjen e marrëdhënieve fqinjësore, zbatimin e reformave kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike. Ai rikonfirmoi gatishmërinë për të implementuar rekomandimet e BE-së, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit si vendimtar për perspektivën europiane të vendit.

Gjatë takimit, palët ranë dakord se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik për Maqedoninë e Veriut dhe një shtysë për përmirësimin e proceseve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *