Afrim Gashi në Asamblenë e PABSEC: Parlamentarizmi aktiv është çelësi për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë pjesëmarrjes së tij në Sesionin e 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të PABSEC në Baku të Azerbajxhanit, theksoi rolin jetik që luan bashkëpunimi parlamentar në ndërtimin e një rajoni më të qëndrueshëm dhe demokratik.
“Në Baku, kisha privilegjin të marr pjesë në këtë forum të rëndësishëm ku theksova rëndësinë e dialogut, kohezionit dhe bashkëpunimit parlamentar si mjet për ndërtimin e besimit, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e vlerave demokratike në rajonin e Detit të Zi,” shkroi Gashi në një status në rrjetet sociale.
Në fjalimin e tij para përfaqësuesve parlamentarë nga vendet anëtare të PABSEC, Gashi apeloi për përfshirje më të thellë në ngjarje multilaterale dhe për hartimin e politikave të qëndrueshme që përballen me sfidat globale me përgjegjësi dhe vizion.
“Inkurajova lidhjen përmes ngjarjeve multilaterale dhe politikave të qëndrueshme që sjellin përfitime reale në përballje me sfidat serioze globale,” theksoi ai, duke shtuar: “Jam i bindur që parlamentarizmi aktiv është kyç për paqe, stabilitet dhe mirëqenie për të gjithë.”
Vizita e Gashit në Azerbajxhan vjen në kuadër të një angazhimi më të gjerë për forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare dhe për thellimin e dialogut rajonal në kuadër të institucioneve multilaterale.