Lajme Maqedoni e Veriut Top

Ambasadori i BE-së uron Murtezanin, RMV vendi i parë që merr para nga Plani i Rritjes i BE-së

 

Ambasadori i BE-së në RMV Mihalis Rokas ka uruar ministrin për Çështje Evropiane Orhan Murtezani për shfrytëzimin e parave nga Plani i Rritjes i BE-së, duke u bërë kështu vendi i parë që shfrytëzon këto mjete të parapara për vendet e Ballkanit Perëndimor që pretendojnë integrimin në BE.

“Urime Ministër! 🇲🇰 Vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që është gati të marrë pagesën e parë nga Plani i Rritjes. Tani fuqia e plotë e reformave të bazuara në objektivat e shkëlqyera të Axhendës Reformuese”, shkruan Rokas në X.

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, pas autorizimit në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dje nënshkroi kërkesën për para-financim prej 7 për qind në kuadër të Agjendës Reformuese të vendit, informnojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane.

Me dërgimin e kësaj kërkese në vlerë prej 52,5 milionë euro, Maqedonia e Veriut bëhet vendi i parë në rajon që ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për para-financim në kuadër të mekanizmit të ri financiar evropian.

“Bashkimi Evropian siguron shtatë për qind nga mjetet e përgjithshme nga Plani i rritjes të Komisionit Evropian për të gjithë partnerët nga Ballkani Perëndimor, pas miratimit të Agjendave të tyre reformuese, duke ju siguruar mjete si para-financim. Ky program financiar, me vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, i përfshin vitet 2024-2027 dhe ka për qëllim të dyfishojë rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme”, sqaruan nga ministria e Çështjeve Evropiane.

Prej aty theksojnë se mbeten të përkushtuar në shfrytëzimin efikas të mjeteve në dispozicion për mbështetjen e integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *