A po e përgatit Bujar Osmani terrenin për të ndërruar fanellën?
Tashmë një periudhë të gjatë nga koalicioni “Vlen” paralajmërojnë se janë në pritje të momentit të duhur që disa deputetë të “Frontit Evropian” t’i bashkohen koalicionit qeverisës. Se diçka po ndodh me kohezionin në koalicionin e BDI-së e konfirmon edhe votimi për riorganizimin e resorëve qeveritarë.
Atëherë Ziadin Sela deklaroi se nuk kishte dashur të votojë për ligjin e propozuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe se e ruan autonominë për të gjitha vendimet e ardhshme dhe hapat politikë brenda koalicionit. Me fjalë të tjera, bëri të ditur se nuk duhet të pritet sjellje unanime në “Frontin Evropian” në të ardhmen.
Ndërkohë në koalicionin “Vlen” kanë telashe të ëmbla me ndarjen e institucioneve brenda koalicionit të tyre. Në opinion dalin me turp disa emra për resorë të caktuar, megjithatë, enigma më e madhe mbetet se kush do ta udhëheq Ministrinë e sapoformuar të Çështjeve Evropiane.