Lajme Maqedoni e Veriut

“Ditët e Alfabetit”, Arkivat ekspozojnë “Dorëshkrimet e Kadaresë” në Shkup

Në kuadër të kremtimit të Ditëve të Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ka prezantuar ekspozitën me dorëshkrimet e “gjeneralit” të pavdekshëm të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “Kongresi i Drejtshkrimit”, ishin të pranishëm zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i përgjitshëm i Arkivave, Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të veprës së Kadaresë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i është bashkuar manifestimit kulturor dhe shkencor, organizuar prej Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), me rastin e 116-vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Z. Izet Mexhiti, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Z. Fatmir Limani, kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi, kryetarja e Komisionit të Arsimit dhe Shkencës, Znj. Ivanka Vasilevska, Drejtori i Përgjitshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Z. Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Z. Denion Meidani dhe përfaqësues të shumtë të trupave diplomatike.
Në fjalën përshëndetëse, Asani vuri theksin tek nevoja e krijimit të një mekanizmi mbrojtës të gjuhës shqipe, në kushtet e globalizmit dhe digjitalizimit.
“Në Kongresin para 116 viteve u arrit një kompromis i madh mes shtresave të ndryshme të elitës shqiptare të kohës. Të liruar nga dilemat identitare, shqiptarët e patën të lehtë të vendosin ura bashkëpunimi me fqinjet dhe popujt e tjerë, pikërisht falë alfabetit. 116 vite më pas, kur gjuha shqipe është e konsoliduar dhe standartizuar, na mbetet edhe shumë punë për të bërë të mundur që kjo gjuhë të gjejë vendin e vet, kur bota po shkon drejt globalizmit dhe digjitalizimit. Nevojitet krijimi i një mekanzimi efikas mbrojës të gjuhës shqipe nga kërcënimi i gjuhëve të përhapura botërisht”, tha Asani.
Në fjalën e tij të rastit, zëvendëskryeministri Mexhiti u shpreh se politikat e mirëfillta institucionale janë të domosdoshme për ruatjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar.
“Nocioni i identitetit në shek.XXI është aq aktual sa në shek. XIX. Të flasësh për identitet shqiptar, si përbërës të identetit europian, është e pamundur të mos flasësh për gjuhën e tij. Që një popull të jetojë, nevijitet homogjenizimi i memories kolektive me dëshmi të shkruara që i mbijetojnë kohës. Këto dëshmi kodifikohen me elementet themelore, gjuha dhe alfabeti. Për të ruajtur këtë gjuhë nga i ashtuquajturi imperalizëm gjuhësor, duhen përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar me politika të mirëfillta institucionale”, tha Mexhiti.
Në fjalën e mbajtur, Bido nënvizoi se Kongresi i Manastirit shpalosi disa simbolika, që përputhen me vlerat europiane.
“Është nder dhe kënaqësi që DPA, të paktën në 7 vitet e fundit e feston këtë ditë në Maqedoninë e Veriut, aty ku nisi unifikimi i një identieti, që duhet shpalosur në jetën publike, akademike dhe politike. Kongresi i Manastirit na jep një sërë simbolikash që duhet t’i evidentojmë. Së pari, simbolikën e kompromisit. Kishte disa alfabete. Rexhep Voka nga Maqedonia e Veriut, shkruante në alfabetin e shqipes bazuar mbi gërma arabe. Kryepeshkopi i Shkupit, Lazër Mjeda shkruante në alfabet tërësisht latin. Ishte Josif Bagëri, i cili shkruante në një alfabet me bazë cirilike. Doktor Kristidhi nga Manastiri shkruante me njëalfabet me bazë në gjuhën greke. Gjerasim Qiriazi, themelues i protestantizmit të shqiptarëve, shkruante në alfabetin e Stambollit. Kishim alfabetin e Anonimit të Elbasanit, alfabetin e Naum Veqilharxhit etj. U zgjodh që të ishin vetëm 2 prej tyre, prej kompromisit mes njerëzve që arritën të mblidheshin dhe të binin dakord për unitetin e identitetin kombëtar. Pavarësisht se zgjodhën një alfabet, e dinin se njëri prej tyre do të triumfonte. Elementi i tretë është barazia dhe gjithëpërfshirja. Kemi përfaqësues nga mbarë trevat, fetë dhe nga të dyja gjinitë. Kemi pjesëmarrjen e Parashqevi Qiriazit dhe të Filomena Bonatit. Elitat intelektuale të kohës, tentonin të jepnin një frymë të re të bashkimit. Elementi i katërt është se identiteti shqiptar tregoi se nuk pati nevojë për të sulmuar një tjetër”, u shpreh Bido.
Manifestimi “Ditët e Alfabetit”, që përkon edhe me 17-vjetorin e themelimit të ITSHKSH-së, iu kushtua shkrimtarit Ismail Kadare, i cili arriti ta përcjellë Shqipërinë në mbi 50 gjuhë të globit. Në këtë kuadër, DPA-ja ka prezantuar një ekspozitë me dorëshkrimet e tij, që evidentojnë mes të tjerash fillin e mendimit kadarean 🧶dhe ndikimin e tij mbi elitën franceze gjatë Luftës së Kosovës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *