Të punësuar në DAP duhet të kthejnë para që i kanë marrë në mënyrë të paligjshme
Gjithsej 129 punonjës të Drejtorisë së të Ardhurave Publike do të duhet t’i kthejnë paratë shtesë që i kishin marrë gjatë kohës kur në krye të këtij institucioni qëndronte Sanja Llukarevska nga LSDM. Institucioni është dëmtuar për afro 300 mijë euro, pasi ish-drejtoresha Llukarevska në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata me të cilat punonjësit e përmendur merrnin paga më të larta, njoftoi drejtoresha aktuale Elena Petrova.
Petrova akuzon se DAP është në kaos për shkak të paligjshmërive të drejtoreshës së mëparshme Sanja Llukarevska. Sipas saj, në kundërshtim me ligjin, disa muaj pas skadimit të afatit dhe gjatë periudhës zgjedhore, Lukarevska ua ndërpreu kontratat e vjetra të punës të gjithë punëtorëve dhe i urdhëroi ata të vazhdojnë punën, deri në përfundimin e të rejave, sipas rregullores së re të brendshme. Parregullsitë janë konstatuar nga Komisioni Kundër Korrupsionit dhe Inspektorati Shtetëror i Punës. Sipas të parës, Lukarevska me vendimin e saj ka shkelur procesin zgjedhor. Inspektorati i Punës urdhëroi DAP-in të anulojë vendimin e Lukarevskës.
Lukarevska i hedh poshtë këto, siç i quajti, akuza të rënda ndaj saj. Ajo thotë se sa ishte në krye të DAP-it, ka pasur komunikim dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me drejtoreshën aktuale Petrova dhe e konsideron atë si një profesioniste e lartë. Për këtë arsye ajo thotë se nuk do ta sulmojë kurrë kolegen e saj. I gjithë procesi, përmes të cilit u zbatua ligji i ri, me të cilin statusi i të punësuarve nga shteti u bë zyrtar tatimor, u zhvillua së bashku me sindikatat, por edhe me gjithë menaxhmentin e DAP, duke përfshirë edhe drejtoreshën e re Petrova, thotë Llukarevska.
Sipas Petrovës, pëlqimi i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për rregulloret e reja është dhënë në bazë të një lloj manipulimi dhe futje të vendeve të punës në rregullore, të cilat as nuk ishin të paramenduara dhe as të plotësuara. Madje, Petrova thotë se pëlqimi është dhënë më 9 shkurt, në të njëjtën ditë kur është shkarkuar ministri i cili e ka nënshkruar atë, që sipas saj është rrezik moral dhe politik. Nga ana tjetër, Lukarevska mohon se vendimi është marrë pas fillimit të procesit zgjedhor, por pesë ditë më parë. Lukarevska nuk dëshiron të komentojë se vendimi është nënshkruar në të njëjtën ditë kur ishte shkarkuar ministri i atëhershëm i Administratës dhe vetëm shton se dokumenti ka nënshkrim të vlefshëm nga një ministër i vlefshëm.