VLEN: Zv/ministrat tanë përfaqësojnë vlerat më të larta për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut
Kuvendi sot ka votuar emrat e propozuar për postin e zv/ministrave në Qeverinë e re. Ministri i Ekologjisë dhe kreu i LD-së, Izet Mexhiti u shpreh se koalicioni VLEN, ka qenë i përkushtuar të sjellë në krye të vendit, profesionistë që do të jenë të pastër e të përkushtuar, për zhvillimin e vendit!
“Si Lëvizje Demokratike, jemi të vendosur për të rritur cilësinë dhe performancën e administratës publike, duke emëruar në pozita kyçe, njerëz të aftë dhe të drejtë. Kështuqë, zëvendësministrat e emëruar janë individë të njohur për integritetin, profesionalizmin dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme. Prandaj, ne emëruam si zëvendësministra edhe pesë profesorë universitare dhe profesionistë në fushat e tyre përkatëse”, ka shkruar Mexhiti.
Ndërkaq kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami është shprehur se zv/ministrat nga radhët e VLEN-it përfaqësojnë dinjitetin, profesionalizimin dhe shpresën e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!
“Me krenari dhe përkushtim të thellë, koalicioni VLEN njofton se kandidatët tanë sot u votuan në Kuvend për pozicionet e zëvendës-ministrave. Këta zëvëndësministra të shquar përfaqësojnë vlerat më të larta të dinjitetit, profesionalizmit dhe shpresës për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Kasami.
Kujtojmë se sot pasdite Kuvendi votoi për zëvendësministrat e Qeverisë. Pro votuan 76 deputetë, ndërsa kundër 16. Nuk pati asnjë abstenim ndërsa votuan gjithsej 92 deputetë.