Afrim Gashi i hapi punimet e Asamblesë Parlamentare për Bashkëpunim në Evropën Juglindore
Filluan punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi ka njoftuar se në vitet e ardhshme, vendet e rajonit do të tentojnë të bashkëpunojnë edhe më shumë me njëri-tjetrin dhe përmes shkëmbimit të përvojave dhe mendimeve, të kontribuojnë në avancimin e rajonit, i cili ka për qëllim integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Apeloj te Ju kolegë të nderuar, që njëkohësisht jeni edhe anëtarë të Bashkimit Evropian, të bëheni promotorët kryesorë të procesit të zgjerimit dhe integrimit të gjithë rajonit në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore me përmirësimin e procesit të aderimit, që i njëjti të jetë më efektiv, më i parashikueshëm, i besueshëm dhe i prekshëm. Sepse, si pasojë e pritjes tepër të gjatë para dyerve të BE-së, humbet edhe kredibiliteti i BE-së, si dhe zbehet edhe mbështetja për integrim në BE te qytetarët. Më duhet të them se pavarësisht përpjekjeve tona, ka një ngadalësim në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian. Mendoj se duhet t’i qasemi më seriozisht zbatimit të proceseve reformuese në vendet tona, si lufta kundër korrupsionit, reforma në sistemin e drejtësisë, ndërlidhje më e madhe energjetike dhe infrastrukturore dhe zhvillim i strategjive për të mbajtur të rinjtë në rajonin tonë”, ka thënë kryetari i parlamentit Afrim Gashi gjatë fjalimit.