Lajme Maqedoni e Veriut

Temperaturat ekstreme, fëmijët në kopshte të mos nxirren jashtë pas orës 11, gratë shtatzëna të mos shkojnë në punë

Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike paralajmëroi qytetarët se Maqedonia e Veriut prej sot (19 qershor) e deri në fundjavë do të hyjë në fazën portokalli. Temperaturat do të variojnë mes 30 dhe 40 gradë Celsius, që nuk është e zakonshme për këtë periudhë të vitit, transmeton.

Nga nesër deri të dielën Maqedonia e Veriut do të jetë nën ndikimin e një mase ajri e ngrohtë që vjen nga jugu, dhe që do të shkaktojë mot me diell dhe të ngrohtë mbi mesataren për këtë periudhë të vitit. Temperaturat e ditës kudo do të jenë mbi 30 gradë, e në disa vende do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Plani i veprimit i Qeverisë parashikon:

Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë, p.sh.: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të pafuqishëm, të pastrehë;
Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme prodhimi dhe teknologjike mund të përbëjnë një rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi i tyre për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.
Nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike thonë se, sipas vlerave kufitare të parashikuara dhe të llogaritura të temperaturave ekstreme territori i vendit nesër do të jetë me ngjyrë të verdhë aktive, ndërsa në luginën e Shkupit dhe Pollogut në nivel portokalli për rrezik nga temperaturat e larta.

Për shkak të rritjes së mëtejshme të temperaturave, nga e enjtja në të gjithë vendin do të jetë aktiv niveli portokalli.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *