Bajdeni sërish humbet “n’kohë dhe n’hapësirë”, e shpëton kryeministrja e Italisë
Një skenë paksa e sikletshme ka ndodhur në kuadër të samitit të Grupit G7, që po mbahet në Itali.
Përderisa organizatori kishte bërë një shfaqje me parashutistë në margjina të samitit të Grupit G7 në Itali, vëmendjen e mori përsëri presidenti amerikan, Joe Biden.
Përderisa udhëheqësit e tjerë po qëndronin bashkë në grup duke biseduar, Bideni për një moment shihet duke u ndarë nga grupi dhe duke u nisur drejt një parashutisti që porsa ishte lëshuar në tokë, duke i bërë me gisht në shenjë lavdërimi për performancën.
Sidoqoftë, largimi i tij për disa hapa mësa duket e shqetësoi kryeministren italiane, Giorgia Meloni, e cila iu afrua kreut të Shtëpisë së Bardhë, e preku në krah dhe e ftoi që të kthehej nga një oficer italian që po përgatitej t’u shpjegonte diçka udhëheqësve.
Në një video të publikuar nga mediumi amerikan, “New York Post”, përderisa Bideni po ecte drejt parashutistit dhe Meloni pastaj po i afrohej, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dukej në siklet dhe vetëm shikonte.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan bën sjellje të çuditshme në publik.
Para disa ditëve, gjatë një koncerti që po mbahej në Shtëpinë e Bardhë, përderisa të gjithë të pranishmit po e shijonin muzikën dhe po bënin lëvizje trupore nën ritmin e tingujve, Bideni dukej për një moment si “i ngrirë” dhe me shikim të përhumbur.
Rivali i tij republikan, Donald Trump, i ka shfrytëzuar këto paraqitje të presidentit për t’u tallur me të e për ta imituar.