Lajme Maqedoni e Veriut

Ambasadori i BE-së Gir takon Gashin, e uron për zgjedhjen në krye të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takimin e parë pas zgjedhjes së tij në funksion me ambasadorin evropian Dejvid Gir dhe me përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend.

Duke e uruar Gashin për zgjedhjen e tij Kryetar i Kuvendit, ambasadori Gir shpreson që përbërja e re parlamentare do të punojë me përkushtim në arritjen e qëllimit strategjik të vendit për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Kryetari Gashi, nga ana e tij, falënderoi për mbështetjen e qartë dhe të vazhdueshme të institucioneve evropiane për procesin e zgjerimit. Ai e përshëndeti Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili, siç tha ai, duhet të inkurajojë më tej rajonin që të përgatitet për anëtarësim në BE, veçanërisht duke zbatuar reformat në fushën e sundimit të së drejtës, forcimin e institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e vazhdimit të Dialogut të Zhan Monesë, të cilin e vlerësuan si shumë efikas dhe të leverdishëm në periudhën e kaluar, me ç’rast Kryetari Gashi bëri me dije se përbërja e re parlamentare tashmë funksionon në bazë të Rregullores së re.

Kryetari i Kuvendit u shpreh i kënaqur që Metodologjia e re e BE-së për zgjerim parasheh një rol të shtuar të parlamenteve në negociata, duke siguruar se përbërja e re parlamentare do të investojë plotësisht në këtë proces.

Kryetari Gashi dhe ambasadori evropian Gir shkëmbyen mendime edhe për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, si dhe për zgjedhjen e ardhshme të qeverisë së re në vend. Ata diskutuan edhe për procedurat për miratimin e ligjeve në Kuvend, për forcimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit lidhur me pushtetin ekzekutiv, si dhe për harmonizimin e mëtejshëm me legjislacionin e BE-së.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *