Lajme Maqedoni e Veriut

Gjykata Penale caktoi masën e kujdesit ndaj Naqe Georgiev dhe Ixhet Memetit

Gjykata Penale e Shkupit i caktoi masën e kujdesit anëtarit të Këshillit të Prokurorëve dhe ish Avokatit të Popullit Ixhet Memeti, shkruan Alsat.

Ai është i dyshuari i dytë në hetimin e Prokurorisë në lëndën e gjykatësit suprem Naqe Georgiev, i cili u kap duke marrë mito në vlerë prej 10.000 euro për të ndikuar në lehtësimin e procesit gjyqësor kundër ish kryetarit të Novo Sellës, Boro Stojçev, i cili akuzohet për trafikim me lëndë narkotike.

Gjykata vendosi që Memetit t’i merret pasaporta dhe t’i ndalohet dalja nga shteti me letërnjoftim, por edhe të paraqitet në gjykatë.

“Sot erdhëm me ftesë të gjykatësit të procedurës paraprake. Më dëgjoi dhe miratoi vendim për masë të kujdesit. Tjetër nuk dëshiroj më shumë të flas dhe ajo është punë e mirë pasi që është në interes timin dhe të opinionit që sa më shpejtë organet ta mbarojnë punën e tyre”, tha Ixhet Memeti, anëtar i Këshillit i të Prokurorëve.

Para gazetarëve Memeti mohoi të jetë i përfshirë në ryshfet në rastin e gjykatësi suprem Naqe Georgiev.

“A keni biseduar në videolidhje me Naqe Georgiev, me Whatsap? Jo. A e keni ditur që me datën 20 në ora 15, te Hotel Vip ka pasur takim? Jo, çdo gjë që do të flasim tash e pengojmë procesin. A keni qenë në komunikim paraprak me Naqe Georgiev për këtë lëndë, për masa lehtësuese për Boro Stojçev? Jo, unë njihem me krejt prokurorët dhe gjyqtarët, por për këso gjërash. Për këtë rast, për këso gjërash, nuk kam biseduar asnjëherë. Atëherë pse përfunduat këtu? Ju lutem, t’ua lëmë organeve?”, u shpreh ai.

Ndryshe, Prokuroria dyshon që përveç gjykatësit Naqe Georgiev, i cili u kap në flagrancë duke marrë mito 10.000 euro, në skemë ka qenë i përfshirë edhe Memeti.

Në momentin kur është arrestuar Georgiev, Memeti nuk ka qenë prezent, por kallëzimi i krimit të organizuar thotë se ai ka zhvilluar biseda telefonike dhe video thirrje me Georgievin dhe djalin e Stojçevit për të garantuar në këtë mënyrë se autoriteti i tij do të hyjë në funksion për marrëveshjen me prokurorinë dhe shqiptimin e dënimit më të ulët se sa parashikonte gjykata.

Për dallim prej Memetit, gjykatësit Georgiev, të martën Gjykata Penale e dërgoi në paraburgim 30 ditor./ Alsat.mk

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *